E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat e parapaguara arrijnë në 5 milionë dollarë

Vlera e parave të arkëtuara në buxhetin e shtetit nëpërmjet parapagimit të gjobave është rreth pesë milionë dollarë. Të dhëna nga Ministria e Financave bëjnë me dije se kjo, në të vërtetë është një vlerë e vogël dhe kjo ministri do përpiqet t’ia kthejë biznesit shumë shpejt. Kjo gjë do të bëhet, pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin e procedurave tatimore në pilën e parapagimit të 15 për qind të vlerës së gjobave. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, ministria dhe administrata e tatimeve do të verifikojnë të gjitha bizneset që kanë parapaguar gjobat deri më tani në masën e 15 përqindëve, me qëllim që më pas të kthehen paratë. Në fakt, është e qartë se kjo do të zgjasë, pasi dhjetëra biznese, të cilat, në bazë të legjislacionit fiskal kanë të drejtë të marrin paratë e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar ankohen se kjo nuk bëhet ose vonohet. Në bazë të ligjit, administrata e tatimeve duhet të përfundojë disa procedura, disa verifikime e më pas biznesit do t’i rimbursohet tatimi mbi vlerën e shtuar. Pikërisht këtu, administrata gjen mënyrën për të kthyer tatimin mbi vlerën e shtuar, duke e zvarritur e duke mos bërë këto verifikime. Edhe kthimi i parave të parapaguara si gjoba nga biznesi, duket se do të ngecë në këtë qerthull, ndonëse pesë milionë dollarë janë një vlerë e rëndësishme parash për biznesin. Ligji i procedurave tatimore që sanksiononte parapagimin e gjobave në masën 15 për qind është duke u rishikuar edhe nga Ministra e Financave, e cila do të pasqyrojë në të ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese. Ministri Ridvan Bode e ka bërë të qratë këtë gjë, megjithëse edhe ai ka thënë se pusheti gjyqësor ka një pushtet shumë më të madh sesa ai që duhet të ketë realisht. Ligji i procedurave tatimore është kundërshtuar nga biznesi që në fillim dhe shumë shoqata të biznesit e çuan atë në Gjykatën Kushtetuese. Dhoma amerikane e Tregtisë ishte shumë e ashpër, duke kundërshtuar dhe duke thënë se qeveria nuk duhet të bëjë luftë me biznesin. Dhoma amerikane e Tregtisë tha madje se projekti që iu paraqit atyre për diskutim qe i ndryshëm që ai që shkoi në parlament. Ligji i procedurave tatimore është kundërshtuar edhe në pika të tjera veç asaj të gjobave. Ligji parasheh që tatimorët të mund të luajnë rolin e prokurorëve ndaj biznesit, për të hetuar dhe gjetur shkeljet. Ata mund të thërrasin të dëshmojnë njerëz dhe administratorë të biznesit dhe po ashtu mund të sekuestrojnë pasuritë dhe të bllokojnë llogaritë bankare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›