E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha provokon Ndokën, thërret dy zv/ministrat e PDK në mbledhje të qeverisë

Kryeministri, Sali Berisha, ka provokuar dje ministrin Nard Ndoka, një ditë pasi kongresi i kësaj partie deklaroi shkarkimin e tij nga posti që mban dhe zëvendësimin e tij nga një tjetër zyrtar i qeverisë, nga zv/ministri Anton Gurakuqi. Në mbledhjen e djeshme kanë qenë të thirrur të dy zv/ministrat e PDK, Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi. Tensionet janë shpalosur në këtë mbledhje, ndërkohë që Berisha ka deklaruar se përfaqësim më të madh në qeveri nuk ka patur ndonjëherë PDK. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi të mërkurën, se “do t'i kërkoj Kongresit votëbesimin tim dhe të Këshillit Kombëtar, si një reflektim edhe ndaj situatave të pakëndshme të krijuara nga individë, që pasi morën pushtet të pamerituar si përfaqësues të PDK, kërkojnë të dëmtojnë këtë parti”.

Gjatë një konference për shtyp, në mesditë në selinë e PDK, zoti Ndoka ftoi anëtarët e kësaj partie, të marrin pjesë në Kongresin e 8 majit, ku do të kenë të gjithë hapësirën e nevojshme për të shprehur opinionet e tyre dhe për të konkurruar në mënyrë të ndershme dhe transparente.

Ai vuri në dukje, se “ka marrë fund njëherë e përgjithmonë koha kur PDK ia emëronin kryetarët parti të tjera për interesa të tyre politike”.

Ai bëri të ditur më tej se PDK do të mbledhë Kongresin e saj nesër në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pas konferencave të zhvilluara në rrethe të ndryshme të vendit. Përveç delegatëve legjitimë nga të gjitha degët e vendit, në këtë Kongres do të marrin pjesë të zgjedhurit lokalë të PDK, kryetarë bashkish dhe komunash, këshilltarë bashkiakë dhe komunalë.

Sipas zotit Ndoka, në Kongresin e nesërm, “do të analizohet situata politike në vend dhe zhvillimet më të fundit brenda PDK, ku një grup i vogël i përbërë nga dy-tre kryetarë degësh, si dhe disa anëtarë të PDK gjithsej 17 persona, organizuan një Kongres farsë, në bashkëpunim me dy partitë rivale të PDK dhe të nxitur nga segmente okulte të politikës, të cilët ndjehen xhelozë dhe kërkojnë të dëmtojnë imazhin e PDK në sytë e opinionit publik”.

Zoti Ndoka shoqërohej në këtë konferencë për shtyp nga grupi parlamentar demokristian, i përbërë dhe nga deputetët Ndue Shpani, Jak Ndokaj, Tom Doshi, Ymer Tola, Hamit Kosta, Frrok Gjini.

Kundërshtarët e zotit Ndoka e kanë deklaruar të shkarkuar atë, duke theksuar se delegatët e kongresit përbënin shumicën dërrmuese, 325 të tillë dhe nga këta kanë votuar për shkarkimin 321.

Sipas tyre, anëtarë të Këshillit Kombëtar në këtë kongres kanë qenë 74 nga 101 të tillë. Sipas tyre vetëm 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar janë përkrahës të Ndokës.

Megjithatë, çështja pritet të zgjidhet nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›