E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë 50 mijë lekë, për prindërit që s’regjistrojnë fëmijët

Prindërit që nuk do të regjistrojnë në gjendjet civile fëmijët deri në 60 ditë pas lindjes, do të penalizohen me 50 mijë lekë gjobë. 

 Por nëse zbatojnë afatet ata do të  përfitojnë edhe një bonus prej 5000 lekësh për çdo fëmijë që sjellin në jetë. Këto janë masat e fundit për të shmangur fenomenin e mosregjistrimit të fëmijëve. Qeveria miratoi dje ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile” “Një mekanizëm tjetër stimulues për të bërë të mundur regjistrimin e lindjes së fëmijëve brenda afateve të përcaktuara është edhe vendosja e shpërblimit të lindjes që përfitojnë prindërit”, bën me dije Ministria e Brendshme. Bonusi përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Nga përllogaritjet, del se numri mesatar i lindjeve për shtetasit shqiptarë varion nga 6 mijë deri në 7 mijë lindje në muaj. “Përveç familjarëve që deklarojnë lindjet që ndodhin në këto afate do të kenë bonus edhe ata të cilët kanë kaluar afatet e ligjit ekzistues, por që do të regjistrohen 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, thuhet në relacion. Një ndryshim i rëndësishëm është edhe përcaktimi i detyrave të materniteteve apo spitaleve private, për të raportuar numrin e lindjeve. “Të gjitha subjektet shëndetësore shtetërore apo private që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara që çdo ditë të hënë të dërgojnë në zyrat e Gjendjes Civile, ku prindërit kanë vendbanimin njoftimin për lindjet e ndodhura pranë institucioneve të tyre”, përcaktohet në pikën 6 të nenit 34. Ndërkaq, për eliminimin e fenomenit të mosregjistrimit të lindjeve në zyrat e Gjendjes Civile duhet të bëhet dhe ndryshim i formularit të certifikatës së asistencës së lindjes, i cili lëshohet nga institucioni shëndetësor ku kryhet lindja. Afati për regjistrimin e fëmijëve nga nënat që lindin jashtë vendit është përcaktuar 90 ditë. “Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik nën juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes së fëmijës”, thuhet në pikën 2 të nenit 34. Ndërkaq, lindja e fëmijës mund të deklarohet veç prindërve edhe nga përfaqësuesit ligjorë të familjes e në pamundësi të tyre nga personat që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen.             z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›