Gjobë prej 108 mijë lekësh për mbetësit
Doktoraturat
Kule: Të çregjistrohen studentët që nuk e përballojnë dot detyrimin
Masivizimi i doktoraturave nuk konsiderohet si fenomen problematik, por ajo që përbën shqetësim për kreun e Universitetit të Tiranës është mospërfundimi i ciklit brenda afatit. Për rrjedhojë, Universiteti i Tiranës ka marrë masat për të parandaluar fenomenin, që ka kosto të lartë për institucionet e arsimit të lartë. Mësohet se e vetmja zgjidhje është gjobitja e studentëve, që nuk diplomohen brenda afatit. Kështu, të rinjtë do të duhet të paguajnë gjysmën e tarifës vjetore në rast se nuk e kryejnë ciklin e studimeve të doktoraturës brenda afatit të përcaktuar me ligj. Për të ndjekur ciklin e tretë të studimeve, pagesa është 216 mijë lekë, ndërsa gjoba që duhet të paguajnë ngelësit është 108 mijë lekë.
Sivjet pritet të nisin ciklin e studimeve në fakultetet e Universitetit të Tiranës mbi 600 doktorantë. Por, sipas rektorit të këtij institucioni, Dhori Kule, masivizimi i këtij cikli nuk është problem, në rast se do të funksionojnë si duhet filtrat për të përzgjedhur studentët më cilësorë. Këtë ai e argumenton me faktin se rreth 50% e studentëve në këtë cikël nuk e kanë përfunduar doktoraturën në afatin e caktuar.
Kjo sjell kosto për universitetin, por edhe për vetë individët që e ndjekin. Nuk është frikë masivizimi nëse punojnë strukturat akademike, se mund të regjistrohen 200 vetë dhe e përfundojnë 10. Mbi 50% janë në proces. U kam kërkuar fakulteteve dhe departamenteve që të bëjnë një analizë, që kandidatët që vërtet janë regjistruar, por nuk e përballojnë dot cilësisht detyrimin që kanë, të çregjistrohen, sqaron Kule.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në janar të këtij viti kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, doktoratë, në institucionet publike të arsimit të lartë. Për këtë vit akademik, të drejtat e studimit për ciklin e tretë të studimeve janë plot 1305. Sipas ndarjes për kandidatët brenda territorit të vendit janë 1141 kuota, për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit janë në dispozicion 154 kuota, ndërkohë që për shtetas të huaj janë akorduar 10 kuota. Shpresa Mezini
Gjobë prej 108 mijë lekësh për mbetësit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email