E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobiten 4 komuna për papastërti

Zonat e plazheve

Plot 4 komuna në vend janë gjobitur, për shkak se pushteti vendor nuk ka zbatuar masat për pastrimin e zonave të plazheve nga mbetjet e ngurta. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mjedisit. Dikasteri ka njoftuar se janë ndërmarrë një seri kontrollesh në plazhet e Komunës Velipojë, Shëngjin, Tale, Gjiri i Lalëzit, Durrës dhe Golem. Qëllimi i këtij aksioni është ndjekja e situatës së grumbullimit, evadimit dhe trajtimit të mbetjeve të ngurta urbane në territorin e plazheve në të gjithë vendin. “Inspektorati i Mjedisit ka marrë sanksione të dënimit me gjobë për katër komuna. Aktualisht janë penalizuar komunat: Velipojë, Shëngjin, Shënkoll, Ishëm dhe Golem. Të njëjtat procedura do të ndiqen në vijimësi si në plazhet publike, edhe tek ato private, që nuk zbatojnë ligjin në lidhje me grumbullimin e mbetjeve të ngurta", tha Ilir Bala, kryeinspektor i Inspektoratit të Mjedisit. Krahas kësaj, strukturat drejtuese të Ministrisë së Mjedisit, i bëjnë thirrje pushtetit vendor të zbatojë ligjin. "Në kuadër të zbatimit të ligjit, pushteti vendor e ka për detyrë të administrojë territorin që disponon, si dhe të menaxhojë e trajtojë mbetjet e ngurta urbane", sqaroi Bala. Sipas tij, Komuna Shëngjin është gjobitur nga një shumë prej 500 mijë lekësh të reja. Me të njëjtën shifër janë gjobitur edhe komunat Velipojë e Shënkoll. Ndërkohë, komunat Golem dhe Ishëm janë gjobitur me nga 1 milion lekë të reja secila. Për të siguruar një mjedis të pastër në zonat turistike dhe akset nacionale, Inspektorati i Mjedisit në zbatim të kompetencave ligjore do të ndjekë në vazhdimësi situatën mjedisore të administrimit të mbetjeve urbane për të parandaluar veprimtaritë e kundërligjshme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›