E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat ngecin te hapja e kutive të votimit

Kryetarët e grupeve të PD-së dhe PS-së bien dakord për modalitetet e komisionit, por jo për objektin hetimor PS-ja kërkon ruajtjen e fletëve të votimit deri në një opinion nga Komisioni i Venecias

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste dhanë dje shenjat e para të një bashkëpunimi të mundshëm për hetimin e zgjedhjeve të shkuara, por hapja e kutive të votimit mbeti ende një çështje që përçan palët. Në 90 minutat e negociatave të djeshme të mbajtura në selinë e kryesisë së Kuvendit, Astrit Patozi i PD-së dhe Gramoz Ruçi i PS-së, bënë zyrtare qëndrimet e tyre, ranë dakord për ngritjen e një komisioni të ri parlamentar, por jo për objektin e hetimit të tij. Po kështu, ndonëse në kundërshtim me ligjin për komisionet hetimore, mazhoranca do t’i lejojë opozitës të ketë shumicën e deputetëve në këtë komision. Ende nuk dihet nëse shumica do t’i garantohet PS-së, duke shkelur ligjin apo duke përdorur manovrën e mungesës në komision të deputetëve demokratë, në mënyrë që të formohet shumica socialiste. Nga ana tjetër, palët ranë dakord se komisioni i ri do të ngrihet vetëm kur objekti i tij të përcaktohet qartë dhe brenda këtij sesioni parlamentar. Nga ana tjetër, një takim i ardhshëm pritet të mbahet së shpejti, ku palët do të ripërpiqen të gjejnë një zgjidhje edhe për kutitë e votimit. Por burimet bëjnë të ditur se në takimin e djeshëm palët kanë bërë interpretime të ndryshme të rezolutës së PE-së për çështjen e hetimit të zgjedhjeve. Mësohet se Ruçi, në emër të PS-së, ka kërkuar një formë të ruajtjes së fletëve të votimit, në mënyrë që të gjenden hapësirat ligjore për të marrë një opinionin për këtë çështje nga ana e Komisionit të Venecias.

Socialistët

Menjëherë pas takimit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se opozita kishte arritur në këtë takim që të gjejë konsensus për kërkesën e saj në lidhje me ngritjen e një komisioni të ri hetimor dhe drejtimin e tij. Po kështu Ruçi theksoi se për opozitën ishte pozitive fakti që ishte vendosur që objekti i hetimit të komisionit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Po kështu, duke folur për pikat e konsensusit, kreu i grupit socialist deklaroi se ishte rënë dakord që të gjitha institucionet shtetërore, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të dërgojnë brenda një afati njëjavor të gjitha materialet që kërkohen për funksionimin e këtij institucioni. Duke folur për takimet e ardhshme, që pritet të zhvillohen mes palëve, për gjetjen e një zgjidhje për kutitë e votimit, Gramoz Ruçi theksoi se PS-ja nuk ka hequr dorë nga kërkesa e saj për të hapur në këtë komision kutitë e votimit të zgjedhjeve të shkuara. “Ne nuk kemi ndryshuar asnjë gjë. Të gjitha gjërat ndryshohen pasi të marrë një zgjidhje përfundimtare. Pasi të marrë fund kjo çështje edhe ne do të shikojmë dhe do të bëjmë publike qëndrimet tona të mëpasshme”, deklaroi Ruçi, duke lënë të kuptohej se PS-ja kishte shprehur në bisedime qëndrimin e saj të mëparshëm për sa i përket hapjes së kutive.

Demokratët

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e vlerësoi me nota pozitive takimin e djeshëm, nisur edhe nga fakti se sipas tij, “ky takim ishte shkëmbimi i hapur i pikëpamjeve jashtë sloganeve”. Por ndonëse Patozi foli për pikat e konsensusit, nuk harroi të theksonte në mënyrë të qartë atë çfarë mazhoranca mund të pranonte për kutitë e votimit. “I bëra të qartë zotit Ruçi që kjo mazhorancë është për respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe të Kushtetutës. I bëra të qartë gjithashtu se jemi dakord që të implementojmë frymën e rezolutës së PE-së, duke theksuar se nuk ka pasur, nuk ka, dhe nuk do të ketë asnjë dokument ndërkombëtar që i referohet Shqipërisë, i cili do të përfshijë në radhët e tij kapërcimin e neneve të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit”, theksoi Patozi. Sipas tij, koncesionet që PD-ja i bëri PS-së, lidhen me ngritjen e komisionit të ri dhe drejtimit të tij, por ato nuk mund të kapërcenin shtetin ligjor. Duke përsëritur qëndrimin e mazhorancës, Patozi deklaroi se për hapjen e kutive të votimit në komision, opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo vetëm mund t’u japë zgjidhje kërkesave të saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›