E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas GJND-së presim njohje nga 35 vende

Hyseni:

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, në emisionin “Sy më Sy” të “RTV 21”, ka deklaruar mbrëmë se ka marrë premtimin nga së paku 35 përfaqësues shtetesh se pas mendimit këshillëdhënës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do ta njohin pavarësinë e Kosovës. 
“Mund të them se bëhet fjalë për 35 shtete që kanë paralajmëruar njohjen e Kosovës. Kjo do të ndodhë menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, por kam marr premtimin e atyre vendeve se do ta njohin Kosovën”, është shprehur ministri i Jashtëm Hyseni për “RTV 21”. 
Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, nuk i ka përmendur se cilat janë ato shtete, por ka vlerësuar se diplomacia e Kosovës është e gatshme që nëse ndodhin këto njohje para Kuvendit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së të bëjë gati dokumentet e nevojshme për të vënë kandidaturën për anëtarësim në KB. Gjithashtu Hyseni i ka thënë këtij televizioni se Kosova ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me fqinjët e saj më të afërm, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. 
Ai ka shfaqur gatishmërinë që këto marrëdhënie t’i ndërtojë edhe me Serbinë, por ka theksuar se pala serbe me probleme të shumta e pengesa po bën çdo gjë që të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në tubimet ndërkombëtare e rajonale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›