E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjobiten mbi 2400 shoferë për shkelje rrugore në Vlorë

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Policia Rrugore e Vlorës ka kryer monitorim intensiv të qarkullimit, me pajisje bashkëkohore, në të gjitha akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut, për rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Sipas policisë, në fokus të kontrolleve të Policisë Rrugore janë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të ngjarjeve rrugore me pasoja.

Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe i monitorimit të vazhdueshëm të qarkullimit rrugor, gjatë 2 javëve të para të muajit shtator, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 11 drejtues mjetesh.

Konkretisht sipas policisë, 2 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur; 3 janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit; 6 janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë vendosur masa administrative për shkelje të ndryshme, si: 780 masa administrative për parkime të gabuara; 720 masa administrative për tejkalim të kufijve të shpejtësisë; 404 masa administrative për mospërdorim të kaskës mbrojtëse; 56 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit; 47 masa administrative për parakalime të gabuara; 37 masa administrative për xhama të zinj; 19 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 8 masa administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 336 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore vijon monitorimin dhe kontrollet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Vlorë, duke përdorur pajisje dhe mjete logjistike bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve, parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›