Rregullorja e re e GJKKO-së, OSBE: Kufizimet ndaj medias të jenë proporcionale

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Zyra e OSBE-së në Tiranë i sheh problematike një pjesë të dispozitave të Rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) të cilat janë kundërshtuar nga mediat për shkak se imponojnë censurë mbi veprimtarinë e përditshme të gazetarëve.
Në një përgjigje për Report Tv, pasi ka analizuar dokumentin e prodhuar nga Gjykata, i cili ka hyrë në fuqi më 1 shtator, OSBE-ja vëren se rregullorja e cila i dedikohet sigurisë, në tërësi “ndjek qëllime legjitime, por disa nga kufizimet e saj në lidhje me median duhet të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë specifike, në bazë të një vlerësimi individual dhe duke marrë në konsideratë alternativat më pak kufizuese”.
Në komentin e saj, OSBE-ja thekson se “çdo kufizim që ndikon në pjesëmarrjen e medias, mbledhjen e informacionit ose raportimin, duhet të ketë një bazë të qartë ligjore, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë i nevojshëm dhe proporcional në rrethana. Ai gjithashtu duhet të mbështetet nga arsye të qenësishme dhe nuk duhet, as individualisht, as në mënyrë kumulative, ta bëjë tejet të vështire aksesin kuptimplotë të medias”.
Sipas OSBE-së “disa dispozita do të duhet të ishin shpjeguar ose përshtatur, veçanërisht aty ku ato duket se funksionojnë automatikisht dhe pa diferencim të mjaftueshëm midis seancave të zakonshme publike dhe seancave që përfshijnë një rrezik konkret për sigurinë, privatësinë ose gjykimin e drejtë”.
“Një telefon celular mund të jetë i aftë të regjistrojë ose transmetojë informacion, por mbajtja e shënimeve elektronike, ose dërgimi i një raporti me shkrim, nuk krijon domosdoshmërisht të njëjtin rrezik si regjistrimi i fshehtë ose transmetimi i drejtpërdrejtë”, vë në dukje OSBE-ja sipas së cilës “një ndalim i plotë i çdo mënyre të përdorimit të telefonave celularë, përfshirë raportimin e shkruar, mund të jetë më i vështirë për t’u justifikuar në seancat e zakonshme publike, përveç nëse mbështetet nga një vlerësim specifik i rrezikut, që tregon se mbrojtjet më pak kufizuese do të ishin të pamjaftueshme”.
OSBE thekson se “rregullat specifike të sigurisë (të Gjykatës) zakonisht duhet të plotësojnë kornizën e KLGJ-së, në vend që ta zëvendësojnë ose t’i kundërvihen asaj, përveç nëse një bazë e qartë ligjore dhe një domosdoshmëri e arsyetuar mjaftueshëm, justifikojnë një shmangie”.
OSBE-ja në reagimin e saj veçon rastet kur Rregullorja ka tejkaluar aktet e KLGJ-së.
“Së pari, udhëzimet e KLGJ-së lejojnë raportimin elektronik me shkrim, nën kontrollin e gjyqtarit kryesues, ndërsa Rregullorja përcakton një kufizim më të gjerë të përgjithshëm. Së dyti, korniza e KLGJ-së parashikon që kërkesa për praninë e kamerave, të shqyrtohet në hapjen e seancës dëgjimore në prani të medias kërkuese, ndërsa Rregullorja parashikon njoftimin e vendimit para seancës dëgjimore. Së treti, Udhëzimet e KLGJ-së ruajnë, si një bazë të përgjithshme transparence, regjistrimin dhe transmetimin e pjesës hapëse të një seance dëgjimore publike, ndërsa kjo masë nuk riprodhohet qartë në Rregullore”.
OSBE vlerëson se “Udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vitit 2023 e trajtojnë pjesën hapëse të një seance dëgjimore publike si një mekanizëm të rëndësishëm minimal transparence”.
Për këtë arsye OSBE-ja, shton se “një ndalim i përgjithshëm dhe automatik, i zbatueshëm për çdo rast, vështirë se do të pajtohej me parimin e proporcionalitetit dhe me nivelin bazë të transparencës të zgjedhur nga KLGJ”. Dhe qasja më e balancuar në këtë rast do të ishte që “të ruhej mundësia e regjistrimit të pjesës hapëse të seancave dëgjimore publike si rregull i përgjithshëm, duke i lejuar panelit gjyqësor të vendosë kufizime specifike për rastin kur një rrezik konkret nuk mund të menaxhohet në mënyrë të përshtatshme përmes masave më pak kufizuese”.
OSBE-ja thotë se “mungesa e konsultimit duhet të shihet kryesisht si një mundësi e humbur për hartimin e rregullave gjithëpërfshirëse dhe të mbështetura mbi fakte”.
Sipas OSBE-së “një dialog i strukturuar pas miratimit me median dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor do të ishte ende i dobishëm dhe mund të mbështeste sqarimin ose përsosjen e dispozitave përkatëse para ose gjatë zbatimit”.
/m.q/j.p/