Theri kushëririn, prangoset 32-vjeçari
Theri kushëririn, prangoset 32-vjeçari
Shkodër-Ka rënë në prangat e policisë autori i vrasjes së ndodhur më 30 dhjetor të vitit të shkuar, në fshatin Bardhaj në Shkodër, ku humbi jetën 23-vjeçari Leonard Kodra. Policia ka ndaluar Besnik Shytanin, 32-vjeç, i cili goditi me thikë kushëririn e tij Kodra, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ngjarja ndodhi në orët e vona të 30 dhjetorit, në banesën e autorit të saj. Leonard Lazër Kodra, ka shkuar tek banesa e kushëririt të tij, Besnik Fran Shytani, rreth 100 m përtej pallateve në fshatin Bardhaj, të komunës Rrethina në Shkodër. Sipas policisë, aty mësohet se 23-vjeçari ka debatuar me kushëririn e tij lidhur me faktin se 32-vjeçari, pak orë më parë kishte goditur me pëllëmbë nipin e viktimës. Kjo ka shërbyer si shkak që dy kushërinjtë të ziheshin dhe në një moment, 32-vjeçari që ndodhej në shtëpinë e tij ka marrë thikën e bukës dhe e ka goditur disa herë 23-vjeçarin Kodra. Pas kësaj ai është larguar menjëherë, ndërsa kanë qenë pjesëtarë të tjerë të familjes së autorit, që me një furgon të rastit kanë transportuar të dëmtuarin drejt spitalit të Shkodrës. Por rrugës, ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe në spital sipas mjekëve, ka shkuar i vdekur. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, autori është fshehur dhe u ndalua nga policia një ditë më parë në fshatin Drisht të komunës Postribë në Shkodër. Mësohet se autori i kësaj ngjarjeje është fshehur në banesa të pabanuara në kalanë e Drishtit, por uria dhe të ftohtit kanë bërë që ai të lëvizë dhe të kërkojë ushqim tek shtëpitë e kësaj zone. Policia ka marrë informacion në rrugë operative dhe ka bërë të mundur kapjen e tij. Mësohet se 32-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit.