Gjonaj prezanton Dokumentin Analitik për Shtyllën e Dytë – Antikorrupsioni

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, zhvilloi sot mbledhjen e radhës.
Deputetja e Partisë Socialiste Etilda Gjonaj në rolin e relatores, ka prezantuar Dokumentin Analitik për Shtyllën e Dytë: Antikorrupsioni.
“Besoj që kjo është një mbledhje e rëndësishme sa i takon miratimit të dokumentit të analizës së shtyllës Antikorrupsioni, të një dokumenti me shkallë vështirësie shumë të lartë dhe për shkak se përfshin të gjitha aspektet në një rrafsh të gjerë të jetës publike, në mënyrë shumë dimensionale, por përfshin dhe të gjitha nivelet e qeverisjes, duke përfshirë ato të pushtetit vendor, qendror dhe sektorin privat”, tha Gjonaj.
Gjonaj nënvizoi se “ky dokument ka si qëllim që të analizojë në mënyrë të thelluar situatën aktuale të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri për të evidentuar arritjet në kuadrin ligjor dhe institucional, por nga ana tjetër dhe dobësitë dhe problematikat si dhe drejtimet ku është e nevojshme të ndërhyhet duke bërë një skanim të situatës aktuale”.
“Kjo është analizuar nëpërmjet analizimit në mënyrë shteruese të dokumenteve dhe raporteve ndërkombëtare, legjislacionin aktual shqiptar, dokumenteve e pikave strategjike në këtë fushë, arritjet dhe gjetjet sa i përket problematikave, duke u referuar në raportet ndërkombëtare apo edhe ato të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë vendas”, tha Gjonaj.
Gjonaj shtoi se “dokumenti analitik është hartuar duke pasur si udhërrëfyes të tij angazhimet e shtetit shqiptar në kuadër të anëtarësimit në BE, veçanërisht në detyrimet të pozicionit negociues në grup-kapitullin e parë – Themeloret, por edhe duke pasur një konsultim për pozicionin negociues të grup-kapitullit të dytë dhe të tretë, që lidhen me tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërinë”.
Deputetja tha se “në kuadër të qasjes gjithëpërfshirëse dhe transparente të përgatitjes, por edhe të konsultimit publik, janë angazhuar në këtë dokument të analizës 41 ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të mbështetur nga 7 anëtarë të sekretariatit teknik. Përmirësimi, pasurimi i dokumentit analitik është mbështetur në kontributet e 23 ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe organizatave ndërkombëtare”.
“Më kuadër të hartimit të dokumentit analitik janë realizuar rreth 40 takime ndërmjet ekspertëve të nivelit të lartë, ekspertëve ndërkombëtarë, sekretariatit teknik dhe përfaqësuesve të institucioneve publike me qëllim rritjen e transparencës”, tha Gjonaj.
Sipas Gjonajt “janë organizuar gjashtë tryeza publike, ku kanë marrë pjesë rreth 350 pjesëmarrës nga shoqëria civile, shoqatat e biznesit e institucione të pavarura etj.”.
“Janë organizuar gjashtë forume të dialogut qytetar në pesë qytete të vendit duke pasur një pjesëmarrje totale prej 265 pjesëmarrësish. Kemi arritur të përftojmë 80 komente dhe sugjerime të adresuara gjatë takimeve, në të cilat ekspertët i kanë reflektuar në mënyrë rigoroze”, u shpreh Gjonaj.
Dokumenti analitik, sipas Gjonajt, “përmban nëntë fushat tematike, duke përfshirë kuadrin institucional dhe rregullator për luftën kundër korrupsionit dhe duke kaluar më pas te të gjitha ato që janë konsideruar si fusha tematike për të pasur një fokus të posaçëm”.
/r.e/a.f/