E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoncaj: KQZ, numërimi i fletëve, në kundërshtim me ligjin

Genc Gjoncaj, përfaqësues i Partisë Socialiste në KQZ, denoncon vendimarrjen e KQZ-së, duke e cilësuar të jashtëligjshme. Në një deklaratë për shtyp nga selia rozë, Gjoncaj akuzoi këtë institucion, i cili sipas tij, po vepron me praktika të kundraligjshme, qartazi duke ndjekur shembullin e PD-së. Sipas tij, KQZ nuk mund të bëjë një gjë të tillë, pasi Kodi Zgjedhor thotë se institucioni duhet t`i përmbahet numërimit të KZAZ-ve.

“KQZ në këtë fazë nuk mund të ndryshojë në tavolinë numrat dhe tabelat e numëruara nga grupet e numërimit. Procedura që po përdoret është një normë e re juridike që po dhunon Kodin Zgjedhor, në përfundim të procesit të numërimit, nga i cili pushteti nuk është i kënaqur”, theksoi Gjoncaj.

Duke vënë pikat mbi i, për përfaqësuesin e PS-së, kjo procedurë është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe eshte jo transparent.

“KQZ po vepron sipas një modeli të PD. Ky proces jo vetëm që është një thyerje e ligjit, por edhe jo transparent, pasi përfaqësuesve të opozitës u mungon akti juridik i KQZ-së. KQZ nuk mund të veprojë dhe të ushtrojë kompetenca që ligji ia jep KZAZ-ve. Nuk mund të vlerësojë as fletët e votimit duke ndryshuar rezultatet e certifikuara” tha me tej ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›