Gjoncaj: Kërkesat e PS-së, në funksion të besueshmërisë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar me votat e shumicës së anëtarëve, propozimet e sjella në komision nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Kështu, vetëm pak orë pas rrëzimit të vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga Kolegji Zgjedhor për sa i përket siglës së koalicionit, PS solli propozimet e reja për ndryshimet që duhen bërë në fletët e votimit.
Kështu këto propozime konsistojnë në:”Fleta e votimit të jetë letër e personalizuar me një simbol i cili duhet të jetë i dukshëm, fleta e votimit të ketë një shirit sigurie, si dhe proçesi i prodhimit të fletëve të votimit të monitorohet nga një person i posaçëm. Përfaqësuesi i PS në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Genci Gjoncaj tha se kërkesat e opozitës, bëhen në funksion të rritjes së besueshmërisë mbi proçesin zgjedhor.
PS ankimoi vendimin e KQZ-së për heqjen e siglës së PS-së në krah të emrit të kandidatit në garën për Tiranën, Edi Rama. Sipas vendimit, KQZ miratoi modelin e fletës së votimit, sipas të cilës, në krah të emrit të kandidatit për kryetar Bashkie në Tiranë, Edi Rama, të mos vendosen inicialet e PS-së, por vetëm incialet e koalicionit që ai përfaqëson.