E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: “Qeveria po e përdor Policinë e Shtetit për qëllime antikushtetuese”



Partia Socialiste akuzon Policinë e Shtetit se po ndërmerr masa dhe veprime antikushtetuese. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, akuzoi qeverinë dhe zyrtarët e Policisë së Shtetit të emëruar politikisht në drejtim të saj se po e përdorin Policinë si instrument për qëllime elektorale. Gjoni iu referua urdhrit që u është dhënë punonjësve të Policisë për të kërkuar derë më derë informacione për personat shqiptarë që nuk ndodhen në Shqipëri për arsye emigracioni. “Partia Socialiste shpreh një shqetësim serioz që lidhet me instrumentalizimin e Policisë dhe përdorimin e saj për qëllime aspak të qarta e që dalin jashtë misionit e funksionit të saj kushtetues. Banorët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë janë bërë dëshmitarë të faktit që punonjës policie trokasin në dyert e shtetasve duke kërkuar të dhëna e informacion lidhur me emigrantët shqiptarë. Gjithçka bazohet në telegramin 898 të datës 17.2.09, drejtuar gjithë strukturave të Policisë, ku kërkohet të evidentohen të gjithë shtetasit që deri më datë 28 qershor mbushin moshën 18 vjeç dhe që aktualisht janë emigrantë, duke pyetur njëkohësisht nëse do të kthehen apo jo për të votuar”, - tha Gjoni. Sipas tij, ky veprim i urdhëruar nga eprorët e politizuar të Policisë bie ndesh me misionin dhe funksionet e Policisë së Shtetit të përcaktuara në nenet 4 dhe 6 të Ligjit për Policinë e Shtetit. “Përveç faktit që është një veprim aspak transparent dhe që lidhet direkt me situatën parazgjedhore, listat e zgjedhësve e pajisjen e shtetasve me karta identiteti; përveç faktit që intimidon zgjedhësit në këtë prag fushate, ky veprim përbën një sinjal të qartë të një skenari në fermentim për mundësinë e keqpërdorimit të Policisë së Shtetit në funksion të partisë në pushtet me synim manipulimin e të dhënave sa u përket listave të zgjedhësve dhe numrit të shtetasve të pajisur me letërnjoftime elektronike”, - tha Gjoni.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›