Duka në kërkim të një “Gus Hidink”-u për Kombëtaren
Edhe pse dy ish-futbollistë të famshëm të Kombëtare shqiptare, Bledar Kola (aktualisht trajneri i AEK u-21, Greqi) dhe Besnik Hasi (zëvendëstrajner i Anderlehtit, Belgjikë) ishin përfolur si
kandidaturat kryesore për të pasuar holandezin Ari Han në stolin kuqezi (pas dështimeve të këtij të fundit në tri ndeshjet e fundit, 1 barazim e 2 humbje), Besnik Hasi hodhi poshtë çdo mundësi për t’u ulur në stolin e Kombëtares, kur Shqipërisë i kanë mbetur edhe tri takime në eliminatore e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, ato kundër Portugalisë, Danimarkës dhe Suedisë në Stokholm.
Shqipëria ka marrë nën drejtimin e Ari Hanit gjashtë pikë në shtatë ndeshje dhe ka një diferencë të qartë në pikë me Hungarinë (aktualisht -7 pikë), e duket se përfundim të eliminatoreve do të renditet në vendin e pestë. Trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar Kombëtaren ka qenë Sulejman Demollari (aktualisht i papunë), i cili para shkarkimit pati rezultate të dobëta me “liliputë” të tillë si Andorra e Luksemburgu, e për t’u pasuar nga italiani Xhuzepe Dosena.
Ish-mesfushori shkatërrues Besnik Hasi (38 vjeç, 50 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, 2 gola, së fundi zëvendëskapiten i Shqipërisë, i larguar gjatë kohës së Bariçit) dhe ish-mesfushori krijues Bledar Kola (37 vjeç, 40 ndeshje, 6 gola, disa ndeshje kapiten i Shqipërisë), në fakt nuk kanë drejtuar kurrë më parë si “violinë e parë” një ekip, pavarësisht se kanë një përvojë të madhe ndërkombëtare e janë stërvitur nga emra të mëdhenj.
“Unë nuk jam kontaktuar aspak nga Federata Shqiptare e Futbollit, por dhe sikur të isha kontaktuar nuk do ta pranoja të kryeja detyrën e trajnerit të përfaqësueses”, - tha Besnik Hasi në linjë telefonike për “Top Channel”. “Është akoma herët. Më duhet akoma më shumë kohë. Kombëtarja nuk duhet parë aq thjeshtë. Është një përgjegjësi e madhe. As Kombëtarja nuk ka nevojë për mua, dhe unë nuk kam nevojë për momentin për Kombëtaren. Po punoj te Anderlehti dhe dua të fitoj sa me shumë eksperience këtu si trajner, e me pas te marr njëe skuadër timen”.
Besnik Hasi dha edhe mendimin e tij për përfaqësuesen e punën e Ari Hanit. “Kombëtarja nuk është ajo e tri-katër viteve më parë. Ne kemi qenë më cilësorë, ndërsa tashmë kualiteti nuk është në nivele aq të larta sa atëherë. Unë mendoj se duhej t’u kushtohej një vëmendje të posaçme aktivizimit të lojtarëve të rinj, të cilët janë dhe e ardhmja e Kombëtares. Duhet të punohet më shumë me të rinjtë dhe t’u jepen më shumë shanse, gjë që deri me tani s’ka ndodhur me asnjë trajner. Duhet iniciativë dhe një plan afatgjatë, jo të shkurtër tani për tani. Po të isha unë në krye të skuadrës do të veproja në këtë mënyrë. Duhen projekte 5-7 ose ndoshta edhe 10 vjeçare për Kombëtaren”.
Bledar Kola ka një eksperiencë të madhe futbollistike si lojtar në Shqipëri e Greqi (katër skuadra në këtë vend), por dhe përvojë në akademinë e moshave të AEK-ut. “Nuk kam biseduar me asnjë nga FSHF-ja. Normalisht, që mund të jem në pritje të një telefonate. Vetëm atëherë mund të jap një përgjigje”, - tha Kola.
Shqipëria pas ndeshjeve të mëdha kaloi shumë shpejt në ekstremin tjetër, atë të ndeshjeve shumë të dobëta e që zhgënjeu tifozët në “Ta’ Qali” të La Valetës, “Qemal Stafa” të Tiranës e “Parken Stadium” të Kopenhagenit. Gjatë 10 ndeshjeve në drejtimin e Hanit (3 miqësore, 7 zyrtare), Shqipëria ka shënuar vetëm 6 gola (3 në miqësore, 3 në zyrtare).
PARTIZANI-FLAMURTARI
Kupa, sot enigma e fundit e çerekfinaleve
Partizani e Flamurtari i kanë hedhur pas humbjet 1-2 në shtëpi, respektivisht me Dinamon e Tiranën, teksa janë fokusuar në përballjen e tyre teke në Kupën e Shqipërisë, takim i programuar për ditën e mërkurë në asnjanësin “Niko Dovana” në Durrës (gjykon Sokol Çekaj). Dy skuadrat u përballën edhe dy herë të tjera midis tyre në çerekfinalet e këtij edicioni të Kupës, ku secili ekipi fitoi në shtëpi (1-0),por për shkak të parregullsive nga të dyja skuadrat, kualifikimi i Partizanit nga gjuajtjet e penalltive u anulua nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatë Shqiptare të Futbollit. Partizani merr pjesë për herë 45-të në çerekfinale. Nëse kualifikohet në gjysmëfinale kjo do të jetë hera e 32-të. Flamurtari merr pjesë për herë të 31-të në çerekfinale. Nëse kualifikohet në gjysmëfinale kjo do të jetë hera e 17-të.
Fituesi i këtij çifti do të përballet në gjysmëfinale me Shkumbinin. Çifti tjetër gjysmëfinale është ai midis Vllaznisë e Tiranës.
KUPA E SHQIPËRISË
Takim shtesë
Partizani-Flamurtari
8 prill 2009, ora 16:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Gjyqtar: Sokol Çekaj
8 Prill 2009