E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: Tregu i sigurimeve në 2010 u rrit 4 për qind

Tregu i sigurimeve gjatë 2010-ës u rrit me 4 për qind krahasuar me 2009-ën, një ritëm ky që sipas kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është më i lartë se mesatarja botërore, apo rajonale. Gjatë prezantimit të raportit vjetor ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë, Elisabeta Gjoni bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar. Ajo theksoi se gjatë 2010-ës objektiv i AMF-së ishte rritja e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, një treg i rëndësishëm jobankar. Tre kanë qenë elementët ku është përqendruar puna jonë në kah të mbikëqyrjes. E para, prezantimi i manualit të mbikëqyrjes me fokus-riskun; hartimi i projektligjit të ri në fushën e sigurimeve, i cili do të mbështesë modelin e ri të mbikëqyrjes me fokus-riskun dhe do të bëjë të mundur harmonizimin e legjislacionit të fushës me direktivat e BE-së dhe vënia në zbatim e sistemit të menaxhimit të informacionit, u shpreh Gjoni. Të rëndësishme ka vlerësuar kreu i AMF-së edhe masat e ndërmarra në drejtim të lehtësirave fiskale që ndikojnë pozitivisht në ecurinë e produkteve të veçanta, si produktet e jetës, shëndetit dhe pensioneve private duke mbyllur raportimin me objektivat e 2011-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›