E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoricë, erozioni i Drinit kalon tokat në Maqedoni

Erozioni i lumit Drin në komunën Gjoricë të Bulqizës, që shërben si vijë kufitare Shqipëri-Maqedoni ka bërë që qindra ha tokë ti kalojnë shtetit maqedonas. Kalimi i banorëve në tokat e tyre, konsiderohet si kalim i paligjshëm kufiri. 

BULQIZE- Lumi Drin në komunën e Gjoricës shërben si vijë kufitare Shqipëri-Maqedoni. Pas prishjes së argjinaturës ndër vite, erozioni ka bërë që lumi të devijojë shtratin në thellësi të tokës duke lënë që dhjetra hektarë tokë të këtij fshati të bëhen pjesë e shtetit maqedonas. Nuk kanë munguar rastet e dhimbshme kur policia maqedonase ka vrarë 6 banorë të këtij fshati me pretendimin se kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Edhe pse kalimi është bërë në tokat e tyre, natyra i ka kaluar ato në pjesën e maqedonisë. Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen shumë pranë kufirit ndarës tregojnë se edhe shtëpitë e tyre mund të kalojnë si pjesë e shtetit maqedonas dhe për këtë shkak ata të braktisin gjithçka.

Ata tregojnë jo pak raste kur fëmijët e tyre janë marrë me forcë nga policia maqedonase dhe më pas janë keqtrajtuar.
“Shpesh ushtarët maqedonas vijnë në urën tonë ndërkohë që policia shqiptare nuk ka guximin as tu flasi atyre. Shpesh kanë marrë dhe fëmijë dhe i kanë cuar në rajonet e tyre të policisë duke i keqtrajtuar” thotë një banor i zonës.

Në të gjitha rastet e ndodhura, vrasjet të cilat i përkasin periudhës së pas viteve 92, nga shteti shqiptar nuk ka patur asnjë reagim. Me të njëjtin shqetësim me banorët bashkohet edhe kreu i komunës Gjoricë i cili deklaron se për këto vrasje të ndodhura nga policia maqedonase, shteti shqiptar i është përgjigjur me heshtje.
Sipas deklarimeve të vetë banorëve qindra hektarë tokë i kanë kaluar shtetit maqedonas, ndërsa ata janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre pas viteve 90, të frikësuar se mos shkelinin në tokën maqedonase dhe të trajtoheshin si klandestinë të paligjshëm.
(e.n/News24BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›