Gjovalin Kadeli: Refuzova bojkotin sepse nuk kishte vendim grupi. Kam votuar kundër Metës
Ish- deputeti socialist, i konvertuar së fundmi në demokrat, Gjovalin Kadeli, nuk iu bind bojkotit të seancës së fundit në Kuvend.
Edhe pse kolegët e tij demokratë u larguan nga salla pas një zemërimi të çastit nga Sali Berisha, Kadeli qëndroi.
I pyetur nga Shekulli, ai thotë se refuzoi bojkotin sepse nuk ka pasur një vendim grupi.
Unë jam mandatuar për të qëndruar në parlament dhe jo për tu larguar nga parlamenti, pasi ky është misioni i deputetit. Përsa kohë që nuk ka një vendim të grupit parlamentar, unë jam i prirur që të ruaj dinjitetin tim moral dhe politik, tha Kadeli.
Ai thekson se e ka parë kur ishte me PS-në që bojkoti nuk është frytdhënës.
E meqë është një nga deputetët e vënë nën dyshim se ka votuar pro Metës si kryetar Kuvendi, ai thotë se ka votuar kundër, duke zbatuar vendimin e grupit parlamentar të PD-së./ep