E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuetia e paligjshme në liqenin e Shkodrës, drejt zhdukjes krapi

SHKODER-  Gjuetia e paligjshme në Liqenin e Shkodrës, ka bërë që shumë specie të veçanta të këtij uji të jenë drejt zhdukjes. Kjo dukuri po çon drejt eliminimit edhe llojin e peshkut më popullor të liqenit të Shkodrës, krapin.

Ky fakt deklarohet nga peshkatarë e kuzhinierë të zonës, të cilët shtojnë se edhe fluksi i punës në dy pikat turistike të Shirokës e Zogajt ka rënë, për shkak se zvogëlimi i sasisë së peshkut krap, ka sjellë rritjen e çmimit të pjatës së gatuar me këtë lloj peshku.

“Pas ndryshimit të sistemit në liqen është gjuajtur pa kriter, këto janë dëmet, këto janë pasojat sidomos për familjet e fshatrave Shirokë e Zogaj, të cilët jetojnë me peshkim. Liqeni i Shkodrës është varfëruar, krapi është drejt zhdukjes”, - shprehet një peshkatar.

“Dy vitet e fundit ka qenë shumë e vështirë të gjejmë krapin. Ne e blejmë ku të gjejmë, këto ditët e fundit kilogrami ka shkuar në 9 apo 10 mijë lekë”, - thotë një kuzhinier i kësaj zone.

Një ndër të vecantat e dy pikave turistike në periferi të Shkodrës, përveç natyrës joshëse, mbetet gatimi i tavës së krapit. Pa diskutim, çdo turist i huaj apo vendas, kërkon specialitetin tradicional, këtë pjatë të veçantë, e cila është një ndër karakteristikat e kësaj zone e që gatuhet në mënyrën më speciale.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›