E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e aseteve të ish-piramidave, Kom. Ekonomisë ndryshon ligjin, opozita kundër

TIRANE- 10% e aseteve në pronësi të ish-bosëve të firmave piramidale kanë mbetur pa shitur për shkak të mungesës së interesit. Ministria e Financave i është drejtuar Kuvendit për një ndryshim në ligj, me qëllim privatizimin e këtyre objekteve, që janë kryesisht apartamente, lokale etj.

“Për shkak të kufizimit që jep ligji, i cili përcakton se çmimi publikohet vetëm kur hapet ankandi, gjë që ka sjellë si pasojë që asnjë blerës të mos interesohet për blerjen e këtyre aseteve. Pra duhet bërë ndryshimi tek shprehja “Vetëm kur hapet ankandi, të hiqen fjalët “vetëm kur hapet ankandi” dhe të mbetet vetëm “çmimi publikohet”, - tha Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Bajram Malaj.

Opozita në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ka kundërshtuar ndryshimin në ligj të kërkuar nga ministria e Financave, duke i mëshuar dhënies së informacionit për të ngjallur interesin për shitjen e këtyre aseteve.

“Për mua më mirë është që rregullat të jenë unike, sic veprohet në shitjen e pronës publike, qoftë si rrugë, qoftë si vlerësim, se sa të bëjmë dicka specifike për një gjë që krijon ngarkesa. Unë besoj se nuk duhet të ndryshojmë procedurën, ajo duhet të ngelet standarde për të gjitha asetet publike. Ndoshta me pak më shumë marketing dhe ekspozim për të shitur këto prona”, - u shpreh Arben Malaj.

Me vota e maxhorancës, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi ndryshimin e kërkuar nga dikasteri i Financave, ndërkohë që socialistët votuan kundër.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›