Gjuha shqipe, obligative në UP

Drejtues të Universitetit të Prishtinës kanë njoftuar se janë të shtyrë që në të gjitha degët e akredituara të fakulteteve të fusin lëndën Kulturë gjuhe si obligative. Ky hap i UP-së vjen pasi që te studentët, por edhe te shumë doktorë shkence janë vërejtur mangësi të njohurive elementare drejtshkrimore.
Një vendim i tillë është vendosur vitin e shkuar nga Senati i UP-së, megjithatë deri tash ka qenë vetëm si pilot-projekt që është aplikuar në Fakultin e Mjekësisë dhe atë të Shkencave Sportive.
Zëdhënësi i UP-së, Isuf Iberdemaj ka thënë për Kosovapress se ky vendim vjen për shkak se janë vërejtur mangësi të caktuara të kulturës gjuhësore në të gjitha drejtimet.
“Universiteti i Prishtinës është ndoshta rast unikat, i cili duke pa mangësinë e skajshme, duke parë mungesa të theksuara të kulturës së gjuhës në të gjitha drejtimet, është shtyrë që ta fusë edhe Gjuhën shqipe si lëndë obligative nëpër të gjitha njësit akademike. Në këtë drejtim vitin e shkuar akademik, kemi filluar së implementuar këtë projekt”, ka thënë Iberdemaj.
Ibredemaj po ashtu deklaron se të gjitha programet, të cilat kanë marrë akreditimin do të kenë në brendinë e tyre edhe pjesë nga projekti tashmë i njohur për Gjuhën shqipe.
“Të gjitha programet, të cilat konkurrojnë për akreditim në Agjencinë e Akreditimit, apo për ri-akreditim nga ato që tashmë iu ka skaduar akreditimi, do të kenë në brendinë e tyre pjesë nga lënda Kulturë gjuhe dhe Shkrim akademik. Këtë vendim të drejtuesve të Universitetit e arsyetojmë me faktin se në të gjitha nivelet, në të gjitha institucionet, pavarësisht nga nivelet e shkollimit të lartë, kemi mungesa të theksuara të kulturës gjuhësore”, ka thënë Iberdemaj.
Sipas tij, njësitë akademike do të vendosin që konformë dinamikës së programeve studimore të zgjedhin vitin apo semestrin, ku do të implementohet lënda e gjuhës shqipe, por në të njëjtën kohë ai kritikon edhe profesorët aktual, të cilët sipas tij ligjërojnë në atë mënyrë sa tregon se nga cili qytet ose fshat është profesori.
“Me gjithë futjen e gjuhës shqipe si lëndë obligative nëpër të gjitha drejtimet akademike, kjo nuk mjafton në qoftë se në radhë të parë studentët nuk e krijojnë një kulturë të leximit, dhe së dyti në qoftë se edhe pedagoget dhe mësimdhënësit tjerë, të cilët ligjërojnë lëndët profesionale nëpër të gjitha fakultetet nuk i kushtojnë rëndësi më të madhe gjuhës, respektivisht kultivimit të saj, në qoftë se të tjerët pedagogë nuk janë në nivel të detyrës sa i takon kulturës gjuhësore, unë mendoj se edhe një pedagog i vetëm, sado i përgatitur të jetë ai nuk besoj që do t’i zgjerojë shumë njohurit gjuhësore te studentët”, ka thënë ai.
Njëri nga njohësit më të mirë të Gjuhës shqipe, Isa Bajqinca, i cili ishte pjesëmarrës në Kongresin drejtshkrimor të mbajtur në Tiranë më 1972 dhe ligjërues shumë vjeçar i Kulturës gjuhësore në UP, thotë se kjo iniciativë është e qëlluar dhe duhet përshëndetur, pasi që sipas tij është koha e fundit që të merret një hap në fushën e ngritjes së kulturës së gjuhës te brezi i ri.
“Me një zgjedhje me kujdes dhe me hulumtime në të gjitha fakultetet, sidomos në ato që merren me Fakultetin e Filologjisë, të Edukimit, në ish shkollat e larta pedagogjike, ka kuadro të cilët do të mund ta bënin këtë punë veç se për mendimin tim nuk mund të jetë një punë individuale”, ka thënë Bajqinca.
Bajqinca nuk pajtohet që vetëm Katedra e Gjuhës shqipe të merret me organizimin e kursit, por thotë se UP-ja duhet krijojë një bord me ekspert të gjuhës, të cilët do të merreshin me këtë organizim.
“Vetë organizimi i kursit, vetë përpilimi i programit dhe njëfarë lloj drejtimi, unë kujtoj se duhet të bëhej jo nga një degë e fakultetit, as nga Dega e Gjuhës shqipe, siç kam dëgjuar që po veprohet, po këto duheshin bërë në kuadër të universitetit dhe universiteti duhet të krijojë një qendër, një këshillë, një bord po të doni mund ta quajmë tani, i cili do të merrej vetëm me këtë çështje”, ka thënë Bajqinca.
Ndryshe, sipas burimeve të Kosovapress-it brenda rektoratit, ky hap vlerësohet i domosdoshëm, për shkak se edhe në letrat e doktorëve të shkencave që dërgohen në UP, ka gabime të mëdha drejtshkrimore.