E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, DASH: Shqetësim zbatimi i ligjit për sigurinë

WASHINGTON-  Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin. Në raportin e fundit për luftën e terrorizmit në botë, për vitin e kaluar, thuhet se Qeveria e Kosovës ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit për të luftuar terrorizmin, përfshirë Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për Tregtinë e Mallrave Strategjike dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Raporti vlerëson se megjithatë "Kapaciteti i qeverisë për të zbatuar legjislacionin që lidhet me sigurinë,mbetet shqetësim".

Njësia e Policisë së Kosovës Kundër Terrorizmit është ende në zhvillim të kapacitetit të saj për të kryer operacione të suksesshme kundër terrorizmit.
Raporti thekson nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit dhe koordinimit efektiv ndërmjet departamenteve brenda Policisë së Kosovës. "Kosova ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit kundër terrorizmit. Strategjia e Sigurisë së Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 23 shtator", thuhet më tej ne raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ajo thekson përgjegjësitë e Policisë së Kosovës, të Doganave të Kosovës, të Policisë Kufitare të Kosovës dhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për të koordinuar përpjekjet e tyre kundër terrorizmit dhe për të siguruar se “Kosova nuk do të bëhet strehë e individëve apo grupeve, që synojnë të nxisin ekstremizmin e dhunshëm dhe të trajnojnë apo pajisin terroristët potencialë”.

Raporti thekson më tej se Qeveria e Kosovës, gjatë vitit 2010, ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ekstraduar një shtetas të Kosovës në SHBA, për t’u përballur me ndjekje penale në lidhje me akuzat për terrorizëm, thuhet mes tjerash në raport . Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trendet e terrorizmit tregon se vitin e kaluar, kanë ndodhur 11 mijë e 500 sulme terroriste, në 72 vende që kanë pasur për pasojë mbi 13 mijë e 200 vdekje.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›