Buhler: Aksioni i ROSU – veprim i njëanshëm, por jo i gabuar

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka thënë se KFOR-i ka vënë pika kontrolli në rrugët alternative të cilat njëkohësisht ishin edhe kalime jozyrtare në veriun e Kosovës.
Në një intervistë për “Radio Kontakt Plus”, ai ka thënë se pikat e kontrollit janë vënë ditët e fundit, se makinat kontrollohen në kërkim të armëve dhe se me “ushtrinë e Serbisë dhe UNMIK-un do të duhet të merren vesh se si do të kontrollohen në të ardhmen këto kalime”.
“Meqë tash përmes pikave Jarinjes dhe Bërnjakut është i pamundur kontrabandimi, nuk do të lejojmë që për këtë të përdoren rrugët alternative”, ka thënë Buhler, transmeton “Beta”.
Ai ka shtuar se marrja e pikave kufitare në veri nga ana e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, ka qenë “veprim i njëanshëm”, meqë për këtë aksion është njoftuar tek atëherë kur është nisur policia.
“Por, nuk dua të them se ka qenë veprim i gabuar”, ka thënë Buhler, duke i akuzuar pjesëtarët e “grupeve radikale nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani”. Ai ka shtuar se EULEX po bënë hetime, se dihen emrat e të dyshuarve dhe se po priten rezultatet.