E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuhëtarët: Duam ta pasurojmë, por jo ta ndryshojmë standardin

/* */

Një konferencë e organizuar me iniciativën e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, e cila synon të nxjerrë problematikat që manifeston shqipja standarde në epokën e globalizimit dhe 20 vjet pas ndryshimit të sistemeve politike në Shqipëri. Akademiku shqiptar, Bahri Beci, referoi mbi historinë e standardizimit të gjuhës shqipes, duke i mëshuar faktit se në standardizimin e gjuhës shqipe në vitin 1972 ka ushtruar presionin e saj politika e partisë-shtet, çka e bën të ligjshëm rishikimin e këtij standardi. Shumë të pranishëm i qëndrojnë idesë së rishikimit, por jo të ndryshimit të bazave të standardit, por të hapjes së tij dhe pasurimit me vlera të dialekteve, të përjashtuara deri më sot. “Kjo është gjuha shqipe dhe ne nuk mund të përmbysim gjuhën shqipe. Por flitet që ky standard të pasurohet nga dialektet edhe në forma gramatikore, edhe me fjalë, me shprehje, frazeologji, që të bëhet gjithëpërfshirës”, thotë akademiku Kolec Topalli. “Unë jam kategorikisht kundër përmbysjes së standardit. Kjo është gjuha shqipe, është pasuri kombëtare, duhet të mbrohet dhe nuk ka asnjë interes kombëtar dhe gjuhësor, që t’i rikthehemi, ta prishim, por ama ky standard që kemi të shohim mundësinë ta çlirojmë nga ato parime të ngurta oruelliane, me qëllim që ai të thithë pasuritë e gjuhës shqipe dhe të shprehet lirshëm”, thotë prof. Mehmet Elezi. Akademiku kosovar, Rexhep Ismajli, duket më i “përmbajtur”. Sipas tij: “Nuk mund të merren hapa dhe të thuhet që duhet ndryshuar, apo nuk duhet ndryshuar, pa e pasqyruar gjendjen. Pasi ta kemi studiuar mund të nxjerrim përfundime. Ne sot po bëjmë diskutime dhe secili mund të ketë mendime të ndryshme, por nuk janë vendimmarrëse. Ka nevojë të hulumtohet dhe jo të marrim apriori qëndrime, sepse janë çështje shumë të rëndësishme dhe nuk ka nevojë që të fusim shumë emocionalitet brenda”. Ndërsa gjuhëtari Seit Mansaku, në kumtesën e tij “Nga gjuha letrare kombëtare te gjuha standarde”, u shpreh kundër ndryshimeve për t’iu përshtatur kushteve të reja në të cilat ndodhet vendi, shoqëruar me lëvizje të mëdha demografike dhe përzierje të popullsisë. Pasi bëri një ekspoze të historikut të standardizimit, Mancaku u shpreh se është e vërtetë që gjuha ka nevojë për përmirësime, për rishikime të disa çështjeve që u lanë pa zgjidhur në vitin 1972, por sipas tij, pavarësisht ndryshimeve të mëdha demografike që kanë ndodhur së fundi, nuk duhet që t’i përshtasim gjuhën njerëzve, por njerëzit duhet t’i përshtaten gjuhës. Sipas tij, duhet punuar më mirë me shkollat dhe institucionet që punojnë me gjuhën, për ta afruar më shumë atë tek njerëzit. Duke iu referuar gjuhëtarëve të huaj e shqiptarë, mes të cilëve edhe Selman Rizës, ai u shpreh kundër “gatimit së bashku të dy dialekteve të mëdha”, për të krijuar një sistem të ri. Konferenca do të vijojë punimet edhe gjatë ditës së sotshme, ku do të diskutohet sërish mbi problemet e drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit.

Sipas drejtorit të Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marashi, kjo konferencë synon të mbledhë gjuhëtarët, studiuesit, shkencëtarët që merren me gjuhësinë rreth një tryeze të përbashkët, që të gjitha ato problematika, të cilat janë diskutuar në publik këto 20 vitet e fundit, të diskutohen dhe t’u jepet zgjidhje nga shkencëtarët. Ai i përgjigjet edhe pretendimeve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mbi mënyrën e organizimit të kësaj konference.

Si lindi nevoja për organizimin e kësaj konference dhe ç’synon ajo?
Pas zhvillimit të Kongresit të Drejtshkrimit dhe pas caktimit të normës të standardit të shqipes, nuk është punuar asnjëherë seriozisht për të parë se cilat janë problemet që lidhen me këtë standard, i cili u sanksionua. E kam fjalën për problemet e përdorimit dhe të funksionit. Kjo lidhet me çështjen e politikave gjuhësore. Edhe pse termi është politik, nënkupton hulumtime gjuhësore në çështje të normës gjuhësore, përditësimin e kësaj norme dhe strategjitë për zhvillimin e një gjuhe të caktuar, në rastin tonë, të shqipes. Ne besojmë se ka ardhur koha që të ketë së pari strategji shkencore të mirëfillta dhe për t’i zbatuar ato, politika shkencore dhe ndërshtetërore që kujdesen për shqipen dhe marrin përsipër fatin e saj. Nuk ka një ligj për shqipen të mirëqenë, që rregullon këto gjëra.
Si është e mundur që nuk është zhvilluar më parë një konferencë e tillë, përse?
Gjuhët e lëvruara të shteteve të konfirmuara me kohë, këtë e kanë një çështje rutinë, të përditshme, ndërkohë që për shkak të ndonjë frike të mundshme, apo për shkak të formimit shumë strikt, të ngurtë dhe nga frikëra që ekzistojnë në persona të caktuar, është penguar hapja e shqyrtimit të problematikave që shtron norma e shqipes. Dhe kjo konferencë këtë qëllim ka. Pikësëpari t’i mbledhë gjuhëtarët, studiuesit, të cilët merren me gjuhësinë rreth një tryeze të përbashkët, që të gjitha ato gjëra që janë diskutuar në publik këto 20 vitet e fundit, të diskutohen dhe t’u jepet zgjidhje nga shkencëtarët. Duke qenë institucion publik, shkencor, nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë, të mbyllim veshët dhe të rrimë pasiv për një çështje, që na takon të punojmë rreth saj. Pra, konferenca do të nxjerrë në pah gjithë problematikën e mundshme, si dhe rrugët për zgjidhjen e tyre, konform nevojave që hasen në Shqipëri dhe Kosovë, e cila është një situatë gjuhësore tjetër. Nëse në Shqipëri vetëm shqipja është gjuhë zyrtare, në Kosovë ka disa të tilla. Shtete të tjera si Serbia, Bosnja, komuniteti ndërkombëtar kanë politika të caktuara gjuhësore dhe i ndjekin ato me rigorozitet në Kosovë. Shumica e dokumentacionit në Kosovë është në gjuhën angleze. Edhe shqipja duhet të reagojë, që jo vetëm të mbrohet nga gjuhët e tjera, por dhe të pasurojë vetveten, të gjallërohet, të dinamizohet.
Përmes një letre të hapur, Fakulteti i Histori-Filologjisë ka refuzuar të marrë pjesë në këtë konferencë, çfarë nuk ka shkuar në komunikimin mes jush?
Fakulteti Filologjik është shprehur përmes titullarit për një qëndrim të tillë, por nuk është e vërtetë se është refuzuar, sepse në konferencën tonë ndodhen pedagogë, profesorë, doktorë nga Universiteti i Tiranës, nga Katedra e Gjuhës Shqipe, me në krye shefen e departamentit dhe punonjës të tjerë të katedrës. Mënyra e organizimit të ftesave, etj., është vetëm një pretekst. Rruga që duhet ndjekur sipas tyre, është që të mbledhim më parë institucionet dhe të vendosim, si qysh, kur dhe me çfarë paltforme të përbashkët do të dalim, në kohën kur nuk është bërë ndonjëherë ndonjë diskutim i hapur për çështje të tilla. Tendenca është për të bllokuar mundësinë e diskutimit të problematikës nga specialistët. Këto lloj institucionesh me këta titullarë nuk do të pranonin në asnjë mënyrë që ne të bënim diskutime rreth problemeve që na takojnë me ligj, t’u japim drejtim. Në të vërtetë, u ndoq rruga krejt normale e zhvillimit të një konference. Jemi një institucion shkencor, që paraqiti një platformë, kush dëshiron në pajtim ose në kundërshtim me platformën vjen t’i paraqesë mendimet e veta dhe të mbrojë pikëpamjet e veta. Një konferencë shkencore mund të organizohet dhe nga vetëm një individ, nëse ka tituj shkencorë, jo më nga një institucion, si Qendra Albanologjike dhe Institucioni i Gjuhësisë. Rexhep Ismajli: Më parë hulumtime, pastaj ndryshime

Akademiku kosovar, Rexhep Ismajli, është tepër i matur kur flet për standardin. Nëse flitet për ndryshime, ai thotë se më parë duhen bërë hulumtime, pasi kjo çështje është shumë e rëndësishme. “Standardi është pranuar në konturet e tij të përgjithshme dhe ai bën jetën e tij. Në natyrën e standardit është që gjatë zbatimit në jetën e tij, standardi të thithë nga përdorimet e ndryshme, jo më të një natyre dialektore, por shoqërore, elemente nga më të ndryshmet. Dhe shqipja në kohët e sotshme ka zhvillime si kurrë ndonjëherë në histori. Shkruhet e flitet aq shumë në mjetet e komunikimit dhe duket se kjo situatë ka sjellë ndryshime të reja. Nuk bëhet fjalë për folësit e kryeqytetit, por për manifestimet në nivelet e komunikimit publik. Çështjet janë për t’u studiuar. Nuk mund të merren hapa dhe të thuhet që duhet ndryshuar, apo nuk duhet ndryshuar, pa e pasqyruar gjendjen. Pasi ta kemi studiuar mund të nxjerrim përfundime. Ne sot po bëjmë diskutime dhe secili mund të ketë mendime të ndryshme, por nuk janë vendimmarrëse. Ka nevojë të hulumtohet dhe jo të marrim apriori qëndrime, sepse janë çështje shumë të rëndësishme dhe nuk ka nevojë që të fusim shumë emocionalitet brenda. Është shumë e rëndësishme të ulemi dhe të bisedojmë bashkë dhe kur e bëjmë këtë shohim se dallimet nuk janë shumë të mëdha”, thotë Ismajli.

 

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›