E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron ambasadorët e Turqisë, Italisë e Greqisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dekoroi dje me “Medaljen e Mirënjohjes” ambasadorët e Turqisë, Italisë e Greqisë, për kontributin e tyre në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kreu i shtetit u akordoi medaljen përkatësisht ambasadorëve Thrasivoulos Stamatopoulos, i Greqisë; Stefano Stefanini, i Italisë dhe Tacan Ilden i Turqisë; përfaqësues të përhershëm në NATO. Gjatë ceremonisë së dekorimit në Presidencë, Topi u shprehu mirënjohjen e tij Turqisë, Italisë e Greqisë për ndihmën dhe mbështetjen që i dhanë  Shqipërisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, si dhe falënderoi veçanërisht ambasadorët për kontributin e tyre në kurorëzimin me sukses të këtyre përpjekjeve. Për më tepër, falënderoi tre vendet për reagimin e menjëhershëm dhe kontributin që dhanë për përballimin e përmbytjeve të fundit në Shqipërinë e Veriut, kontribut i cili përsa i përket Greqisë, konsiston në dërgimin e helikopterëve, të ushqimeve dhe ilaçeve. Pas  marrjes së dekoratës, të tre ju referuan shkurt rëndësisë që ka anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, si dhe mbështetjes që vendet e tyre i dhanë Tiranës. Greqia, theksoi ambasadori grek, duke mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, bëri diçka të natyrshme. “Shqipëria zë një vend të veçantë edhe në zemrën, por edhe në politikën e vendit tim”’ – theksoi ambasadori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›