E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukanoviç: Thyerja e embargos më ’93, ndërthurje interesash e solidariteti

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, thotë se nuk ka asnjë informacion mbi një marrëveshje me Berishën në vitin 1993 për thyerjen e embargos së naftës të vendosur nga OKB. Ai që i ka dhënë ato karburante nuk e ka bërë falas. Pra, kishte dhe interesa aty. Por para se të gjithash ishte ai mirëkuptimi, solidariteti dhe gatishmëria që të ndihmoheshin fqinjët të jetojnë në një kohë të vështirë”

Intervistoi: Ilva Tare

Milo Gjukanoviç, lideri më jetëgjatë i Malit të Zi, e cilëson thyerjen e embargos së naftës në vitin 1993 një ndërthurje interesash dhe solidariteti për fqinjët në kohë të vështira. Në një intervistë ekskluzive për “Tonight Ilva Tare” në Ora News, ish-kryeministri malazez komenton librin e ish-presidentit Bulatoviç, ku flet për një marrëveshje me Berishën në vitin 1993 për çështjen e shumëdiskutuar të embargos së naftës, po aq sa edhe për atë kohë të vështirë që thotë se kanë kaluar qytetarët e Malit të Zi. I dorëhequr një vit më parë, pak orë pasi Malit të Zi iu dha statusi i vendit kandidat të BE-së, Gjukanoviç mbetet megjithatë më i diskutuari sa i takon dilemave për një rikthim të mundshëm në qeveri apo në presidencë. I pyetur nga gazetarja Ilva Tare për të ardhmen e tij në politikë, ai është përgjigjur se jeta e ka mësuar që kurrë të mos thotë kurrë!

Në Shqipëri, revista ‘Mapo’ ka botuar pjesë nga libri i ish-presidentit malazez Bulatoviç. Në këto kujtime ai bën publik takimin që ka bërë me presidentin e asaj kohe dhe kryeministrin aktual, Berishën, në vitin 1993. Bëhet fjalë për marrëveshjen për të shkelur embargon e naftës ndaj ish-Jugosllavisë nga OKB, në kohën kur Millosheviç vazhdonte masakrat në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë. A keni dijeni për një marrëveshje me Berishën më 15 shtator të vitit 1993, që të shkelej embargo?

E kam lexuar këtë në disa shkëputje të librit të z.Bulatoviç, që janë publikuar në shtypin e vendit. Mua nuk më kujtohet asnjë takim i tillë, sigurisht që nuk kam marrë pjesë në të dhe nuk kam asnjë informacion nëse është bërë një marrëveshje e tillë. Por ajo që me siguri mund t’ju dëshmoj, këto sanksione të organizatës së OKB-s ndaj Jugosllavisë ishin ndoshta më rigorozet ndaj ndonjë vendi, pasi gjithkush që atëherë ka pasur postin e Kryeministrit, në rendin e ditës në seancat qeveritare ishin të shpeshta diskutimet sesi do t’u siguronim qytetarëve gjërat elementare, miellin, vajin, sheqerin, pra ushqimet elementare për jetën. Nuk është shumë larg ajo kohë, nuk ka as 20 vjet. Ndoshta juve nuk ju duket reale kur flasim për anëtarësim europian, por fatkeqësisht ky ishte realiteti dhe ishte shumë vështirë që të sigurohej funksionimi i sistemit. Mali i Zi nuk ka derivate të naftës, ne nuk prodhojmë naftë, ishte diçka që kishim disa burime vendase në Jugosllavi, por ndodheshin në territorin e Serbisë. Serbia në mënyrë shumë rigoroze ka vendosur që asgjë nga prodhimi i vendit mos të kalojë në Mal të Zi. Rrethi i komunitetit ndërkombëtar ishte i tillë që nuk kemi pasur mundësi të importojmë asgjë nga derivatet e naftës. Kjo nuk vuri në pyetje vetëm funksionimin e kombinatit të aluminit, por edhe të spitaleve, shkollave, të gjitha atyre gjërave jetike për këtë vend. Ne kishim një zgjidhje shumë të thjeshtë, nëse pajtohemi me këtë, kemi nënshkruar ndëshkimin me vdekje për qytetarët e Malit të Zi. Ne kemi provuar që në çdo mënyrë të sigurojmë jetën. Nëse dikush nga perspektiva e sotme do të provojë që të gjykojë a ishim të disiplinuar apo jo ndaj atij ndëshkimi me vdekje që na kishin bërë, por mendoj se kemi bërë atë që do të bënte çdo qeveri përgjegjëse.

A mund të bëhej marrëveshje midis palëve, arrihej të thyhej embargoja? Mendoni që mund të kishte hyrje të naftës pa pasur një marrëveshje midis dy krerëve të shteteve?

Shumë gjëra që kanë funksionuar në atë kohë nuk ishin të mbuluara me ndonjë nënshkrim në dokumentet zyrtare, thjesht jeta ka funksionuar me rregullat e saj, ne kemi patur komunikim me vendet fqinje, kishim mirëkuptimin e fqinjëve tanë. Kishin dhe interesa aty dhe në atë kohë kishte tregti. Ai që i ka dhënë ato karburante nuk e ka bërë falas. Ato karburante janë shitur me çmime më të larta sesa në kushte normale. Pra, kishte dhe interesa aty. Por, para se të gjithash, ishte ai mirëkuptimi, solidariteti dhe gatishmëria që të ndihmoheshin fqinjët të jetojnë në një kohë të vështirë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›