E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, 7 milionë lekë në muaj karburant

SHKRUAN: Fejzi Braushi 06-01-2012 11:43

85.6 milionë lekë ka shpenzuar Kuvendi në 2011 për të blerë karburant për makinën e kryetares dhe tre nënkryetarëve. Një pjesë e tij është përdorur edhe për gjeneratorin.

Përpjekja e qeverisë për të kufizuar shpenzimet operative të administratës nëpërmjet heqjes së makinave të zyrtarëve të lartë, duket se nuk ka qenë shumë efektive në rastin e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa ka shpëtuar nga tollonat e benzinës dhe naftës të deputetëve, Kuvendi vijon të mbetet një nga institucionet që shpenzon miliona lekë në muaj për karburantin e makinës së kryetares dhe disa makinave të tjera të shërbimit në varësi të këtij institucioni. Në total, për vitin që lamë pas ky institucion ka shpenzuar plot 85.6 milionë lekë të vjetra për të blerë karburant për automjete dhe ngrohje.

Kontrata e parë

Shuma prej 85.6 milionë lekësh e përdorur nga Kuvendi për blerje karburanti është shpenzuar nëpërmjet dy procedurave të prokurimit, apo thënë më saktë nëpërmjet dy kontratave të ndryshme. Fillimisht ky institucion ka zhvilluar një procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë, pa tender, për të blerë një sasi të vogël karburanti vetëm për nevojat e fillimvitit, derisa të kryhej tenderi i përgjithshëm për gjithë vitin.

Sipas vetë njoftimit të Kuvendit të shpallur në faqen tij zyrtare në internet, bëhet fjalë për një shtesë kontrate dhe procedura e prokurimit me objekt “Blerje karburanti për automjete” ka qenë e llojit të “Negocimit pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Në total bëhet fjalë për një shumë prej 6.3 milionë lekësh të vjetra dhe kjo vetëm për nevojat e fillimvitit. Për këtë qëllim Kuvendi, 21 janarin e shkuar ka lidhur kontratë me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Skënderi G dhe ‘Europetrol’ Durrës Albania sh.a”.

Kontrata e dytë

Vetëm dy javë më vonë, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tjetër tender por të rregullt, duke shpallur vlerën paraprake të prokurimit me objekt “Blerje karburanti për automjete dhe motor-gjenerator, për nevojat e vitit 2011”. Ndërkohë që në formularin e kontratës së botuar në faqen në internet, Kuvendi bënë të ditur se procedura e prokurimit ka qenë elektronike dhe se blerja e karburantit do të përdorej për automjete dhe ngrohje. Shuma e shpallur arrin shifrën 7,936,928 lekë të reja pa TVSH, dhe sasia e karburantit duhet të lëvrohej nga subjektet fituese brenda 31 dhjetorit 2011. Megjithëse në pikën 3 të kësaj kontrate prokurimi bëhet fjalë se karburanti i blerë do të përdorej për automjete dhe ngrohje, duket se ai ka shërbyer vetëm për qëllimin e parë, pasi siç dihet institucioni i Kuvendit ngrohet me kondicionerë me rrymë elektrike dhe jo me kaldajë. Megjithatë, një pjesë e kësaj sasie mund të jetë përdorur edhe për gjeneratorin e energjisë, në rastet kur ka pasur ndërprerje të rrymës elektrike. Po t’i mbledhësh vlerat e të dyja kontratave të lidhura nga Kuvendi, rezulton se në total ky institucion ka blerë plot 85.6 milionë lekë të vjetra karburant, kryesisht për automjetet. Thënë ndryshe, vetëm për makinën e kryeparlamentares, tre nënkryetarëve dhe për disa makina të shërbimit të këtij institucioni, janë shpenzuar afro 7 milionë lekë të vjetra në muaj për karburant. Kujtojmë këtu se prej gati dy vjetësh deputetët nuk kanë më makina shtetërore dhe për rrjedhojë nuk marrin më karburant nga Kuvendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›