E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjukanoviq fton Serbinë të njohë Kosovën

Nga Express më 05 qershor 2011 në ora 12:17

Në një intervistë për gazetën “Dnevnik’ të Novi Sadit ish- kryeministri dhe kryetari disa vjeçar i Malit të Zi, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq ka thënë se çështje e hapur janë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të cilat, duhet të zgjidhen.

“Kur them kështu, ka thënë Gjukanoviq, nuk mendoj se zgjidhja është në presionin kundër Beogradit për ta njohur pavarësinë kosovare, sepse e kuptoj se Serbia aktualisht nuk është e gatshme ta bëjë këtë. E nuk më duket që edhe njohja nga Beogradi është e vetmja ajo që mungon në mënyrë që Serbia dhe Kosova t’i kryenin detyrat parësore të shtëpisë të cila do t’i kualifikonin për të ardhmen afërt euroatlantike”.

Megjithëkëtë, sipas tij, nuk kontestohet se kemi shumë probleme në bashkëpunimin rajonal dhe ky na duhet aq shumë për të gjithë në përgatitjen e jetës së përbashkët në BE dhe në NATO. Dhe kjo – sipas Gjukanoviqit – ndodh mu për shkak të mungesës së komunikimit ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

“Kjo disi duhet të tejkalohet, duhet të gjendet bashkëjetesa e Serbisë dhe Kosovës. Sepse gjendja aktuale, me të cilën bëhet përpjekje që të mbetet e hapur çështja e Kosovës, u bën dëm të dy palëve: Serbia humb hapin drejt integrimeve evropiane, e mbrojtja e pavarësisë së rrezikuar është alibi i mirë që Kosova të mos u përkushtohet si duhet temave që janë prioritet real i saj: ndërtimi i institucioneve, zhvillimi i demokracisë, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, kthimi i refugjatëve, mbrojta e trashëgimisë kulturore”, tha Gjukanoviq, raporton Koha.

Në pyetjen se çfarë mendon për ndarjen e Kosovës, Gjukanoviq është përgjigjur: “Serbia, duke u nisur nga realitetit, duhet të njohë pavarësinë e Kosovës e pastaj të dy shtetet do t’i kthehen të ardhmes dhe integrimeve euroatlantike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›