E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vapa, mbipopullohen urgjencat në spitale

09/08/2011  Çdo ditë 120 urgjenca, 20 prej të cilave manifestojnë komplikacione të goditjes së diellit

Të gjitha këshillat për të ruajtur shëndetin nga temperaturat e larta

Vapa tejmbush urgjencat spitalore në vend. Me qindra persona të moshave të ndryshme u janë drejtuar urgjencave spitalore në QSUT gjatë ditëve të fundit duke manifestuar komplikacione të shumta shëndetësore, shkak i të cilave janë bërë qëndrimet me orare të gjata në temperaturat e larta. Më të rriskuarit nga vapa mbeten të vegjlit dhe moshat e treta, të cilat kanë mbipopulluar jo vetëm urgjencën e pediatrisë, atë të infektivit, por dhe urgjencën nr. 1, e cila raporton çdo ditë mbi 120 thirrje për ndihmë dhe kujdes të specializuar mjekësor. Problemet më të shumta janë konstatuar te moshat e vogla, që jo në pak raste janë paraqitur në urgjenca edhe me temperaturë të lartë, si dhe te moshat e treta. Këto të fundit më së shumti kanë manifestuar gjendje të rënduara shëndetësore, kjo pasi pjesa dërrmuese e tyre vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilat janë rënduar edhe më shumë gjatë rënies në kontakt me temperaturat e larta. Sipas mjekëve, rastet më akute janë diarretë, normalisht intoksikacionet nga ushqimet. Më tej ata sqarojnë se temperaturat e larta dhe mungesa e hidratimit ka bërë që të paktën çdo ditë 20 persona të kërkojnë ndihmë si pasojë e goditjeve nga dielli. “Janë shtuar më shumë rastet me gjendje të fikëti, teksa janë vënë re edhe shumë raste të tjera që vijnë nga goditjet e diellit, të cilat mund të shkojnë më shumë se 20 raste në ditë. Po ashtu ka edhe raste të tjera që vijnë me gjendje të rënduar, siç janë krizat hipertensive, dhimbjet e gjoksit, ato me diabet, simptomat hematologjike, gastrohepatologjike etj. Për këtë këshillohet që të bëhet kujdes i veçantë nga këto kategori risku, jo vetëm më shmangien e orareve problematike, por dhe me balancimin e lëngjeve që humbet organizmi. Pasojat më të shpeshta që mund të vijnë si rezultat i temperaturave të larta janë: goditja nga dielli si rezultat i qëndrimit të gjatë nën rrezet e tij, djegia e lëkurës nga rrezatimet e forta diellore, si dhe kanceri i lëkurës, intoksikacionet për shkak të ushqimeve, rëndimi i disa sëmundjeve të zemrës e tensionit. Goditja nga dielli manifestohet me djersitje, humbje të lëngjeve të organizmit. Gjithashtu kujdes duhet treguar edhe me mënyrën e të ushqyerit. Për këtë duhet të mos përdoren ushqimet e fastfudeve, sepse janë shumë të rrezikshme. Po ashtu është e nevojshme që konsumimi i lëngjeve të jetë në sasi sa më të madhe, në mënyrë që të shmanget dehidrimi.

Simptomat

Simptomat më të shpeshta që vihen re janë: shpërqendrim, kllapi, të dridhura, marramendje, humbje e vetëdijes, konvulsione ose koma, temperatura e trupit arrin deri në 40 gradë, lëkurë e nxehtë, e thatë, ndonjëherë e skuqur, pulla-pulla e me ngjyrë të kaltër, puls i fuqishëm dhe i shpejtë.

Këshillat se si t’u shpëtoni komplikacioneve të vapës

Trajtimet për të vegjlit

• Fëmijët të mbahen në ambiente të freskëta dhe me lagështirë normale.

• Krevati të jetë në një kënd të dhomës, i mbrojtur nga korrentet e ajrit.

• Të bëhet ajrimi i dhomës herë pas here.

• Temperatura e ambientit ku rri fëmija të jetë rreth 24-25 gradë C.

• Në varësi të kushteve mund të bëhet edhe freskimi i dhomës me ujë.

• Të përdoren veshje të lehta pambuku dhe ngjyra të çelura.

• Shëtitja e fëmijëve të bëhet në ajër të pastër e gjelbërim.

• T’u bëhet fëmijëve banjë freskuese disa herë në ditë.

• Të mos ndërpritet ushqyerja me gji për fëmijët e moshave të vogla.

• Ushqimet që u jepen të jenë të freskëta dhe të përpunuara mirë.

• Kur nëna vjen me nxitim nga rruga apo puna, duhet të qetësohet e pastaj t’i japë gji fëmijës, sepse ai mund ta vjellë.

• T’u jepet ujë i pastër (i zier) vazhdimisht fëmijëve.

• Enët e gatimit për fëmijë të ruhen me kujdes në kushte higjienike.

• Ushqimet e gatshme duhen blerë në vende të kontrolluara mirë.

Këshillat për të moshuarit

- Shmangia e qëndrimit jashtë në orët e nxehta të ditës (nga ora 10:00 deri më 18:00).

- Shëtitjet të bëhen në ajër të pastër gjatë kohës kur fillon fresku.

- Të përdoren veshje të lehta dhe me ngjyra të çelura.

- Të përdoret kapelë për të mbrojtur kokën dhe qafën.

- Dieta të jetë e drejtuar drejt zarzavateve të përpunuara.

- Gatimet të bëhen me vajra bimore, të tjerat janë të rrezikshme.

- Të evitohet përdorimi i yndyrave shtazore (gjalpë, dhjamë) dhe kripa e tepërt.

- Të përdoren lëngje (ujë higjienikisht i pastër, lëngje frutash të freskëta).

- Të ajroset dhe ventilohet vendbanimi disa herë në ditë.

- Nuk rekomandohen banja dielli në plazh në - orët e nxehta.

- Të moshuarit duhet të evitojnë udhëtimet e gjata në orët e nxehta të ditës.

- Të bëjnë kontroll periodik te mjeku duke zbatuar rekomandimet.

- Çdo rast shqetësimi, sado i vogël qoftë, të mos neglizhohet.

- Të ulet përdorimi i kafesë, alkoolit dhe lëngjeve të sheqerosura.

- Këto të fundit çojnë në procesin e dehidrimit të trupit.

- Të evitohet puna në orët e nxehta të ditës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›