Gjuriç: FSK-ja e ka të ndaluar të hyjë në veri

Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriç ka thënë sot se përmes marrëveshjës në Bruksel, është penguar përgjithmonë hyrja e Kosovës në OKB. Sipas tij kjo marrëveshje siguron mbrojtje për serbët e Kosovës dhe “legalizon institucionet serbe” për bashkësinë ndërkombëtare.
“Sipas kësaj marrëveshje ne nuk do të jemi të detyruar ta lejojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Gjuriç për mediet serbe.
Ai tha se marrëveshja ndalon praninë e forcave të sigurisë në komunat veriore të Kosovës.
“Kemi garancën e NATO-s se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të hyjnë në mjedisin serb. Kjo krijon kushte që serbët atje të ndjehen të sigurt, që askush nuk mund t’i largojë nga banesat e tyre”, ka shtuar Gjuriç.
Gjuriç tha se Serbia nuk do të ndalet duke investuar dhe ndihmuar serbët në Kosovë, në mënyrë që “të mundësohet mbijetesa e tyre”./Indeksonline/