Ashton nesër raporton për marrëveshjen

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do raportojë nesër para Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në lidhje me marrëveshjen e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij. serb Ivica Daçiq.
Kosova dhe Serbia dhe pritjet e këtyre vendeve në procesin e integrimeve do jenë objekt i diskutimeve në mes të 27 ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe baroneshës Ashton.
Ndonëse nuk është paraparë miratimi i konkluzave, gjithsesi debati i nesërm që do mbahet me dyer të mbyllura do i krijojë kornizat për qëndrimin që do e mbajnë kryetarët dhe kryeministrat e vendeve të BE-së në samitin e qershorit. Nga ky samit, Kosova pret vendimin për nisjen e negociatave të Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbia vendimit për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndonëse është përshëndetur arritja e marrëveshjes në mes të dy kryeministrave, disa zyrtarë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tërheqin vërejtjen se ende punë për t’u bërë. Pos domosdoshmërisë që marrëveshja edhe të nënshkruhet formalisht, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë nevojë edhe për garanci se marrëveshja e arritur të premten edhe do implementohet.
Për këtë arsye ka gjasë edhe të kërkohet nga Serbia që deri në qershor të dëshmojë gatishmërinë për implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes.
Ndërkohë palët nga Prishtina përkatësisht Beogradi duhet të kthehen sërish në Bruksel për të diskutuar çështjen e implementimit. Bisedat në mes të Kosovës e Serbisë vazhdojnë edhe më tutje ndonëse në nivele tjera. Para së gjithash, Prishtina dhe Beogradi duhet të intensifikojnë diskutimet për energji dhe telekom, biseda këto të cilat sipas marrëveshjes duhet të përfundojnë para datës 15 qershor./Indeksonline/