Vuçiq: SNS e mbështet marrëveshjen

Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë sot vendimin në mbledhjen e Këshillit qendror që anëtarët e saj në qeverinë Serbisë ta mbështesin propozim marrëveshjen nga Brukseli, ka thënë pas mbledhjes kryetari i kësaj partie dhe nën-kryeministri i parë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se Këshilli Qendror e ka autorizuar që në qoftë se “nuk vendoset uniteti i popullit, uniteti i njerëzve në Serbi” për pranimin e marrëveshjes, Kryesia e kësaj partie, e jo Këshilli qendror, javën e ardhshme do të vendos mbi atë si dhe në çfarë mënyre t’i pyes qytetarët që të deklarohen nëse e pranojmë marrëveshjen e Brukselit, shkruan rtk.
Vuçiq u ka thënë gazetarëve pas mbledhjes gjashtë orëshe të Këshillit Qendror të partisë se nuk përjashtohet as referendumi për këtë çështje, dhe ka përsëritur se marrëveshja nuk njeh kurrfarë pavarësie të Kosovës, dhe se në rrethanat e dhëna kjo ka qenë më shumë që ka mundur të bëhet.
“Mbledhja e Qeverisë do të mbahet nesër kurse mbledhja e Kuvendit Popullor të mërkurën ose të enjten, dhe në atë periudhë duhet të zhvillohen bisedime me serbët e Kosovës”, ka nënvizuar Vuçiq./Indeksonline/