E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, 40 vjet burg për prindërit vrasës

Autori i Lajmit: red.
Dënohen me 25 vjet dy prindërit që vranë, groposën dhe e mbajtën të fshehur për 11 vjet kufomën e së bijës. Gjykata e Shkodrës ka deklaruar dje fajtorë Brahim dhe Nurie Facajn për krimin e ndodhur 11 vjet më parë. Sipas vendimit të gjykatës, mësohet se i ati i vajzës do të vuajë 25 vjet në qeli dhe e shoqja Nuria, si bashkëpunëtore në vrasje, 15 vjet. Trupi i vajzës 19-vjeçare u gjet i varrosur pak metra larg shtëpisë së tyre, në fshatin Drisht.
Ngjarja
Kanë vrarë vajzën 19 vjeçe, e kanë varrosur në oborrin e shtëpisë dhe brenda mureve të saj kanë ruajtur për 11 vjet me radhë sekretin. Dy prindër nga zona e Shkodrës kanë dënuar me vdekje vajzën e tyre për të vetmin motiv se është larguar jashtë vendit pa lejen e tyre. Eshtrat e 19-vjeçares janë zbuluar nga rrëketë e shiut vitin e shkuar, ndërsa ekspertiza mjekoligjore përcaktoi si datë të vdekjes së saj vitin 1997. Përveç vitit të vdekjes, në të njëjtën shkresë shkencore u vërtetua se si 19-vjeçarja nga Shkodra është vrarë, ndërsa hetimet çuan në një krim brenda familjes dhe si të dyshuar kryesorë për vrasjen e saj u arrestuan dy prindërit. 12 vjet pas krimit, i ati i vajzës deklaron në gjykatë se nuk është penduar aspak për krimin. “Për një nder rrojmë”, - ka deklaruar para togave të zeza babai vrasës. Një seancë më parë Prokuroria e Shkodrës kërkoi dënimin me 40 vjet burg për prindërit vrasës. Brahim e Nurije Facaj, të akuzuar se kanë vrarë e më pas fshehur për 11 vjet kufomën e vajzës të tyre në oborrin e shtëpisë, janë përballur dje me konkluzionet përfundimtare të akuzës. Prokurorja e çështjes i ka kërkuar trupit gjykues që të dënojë me 25 vite burg të atin e viktimës dhe 15 vite burg njerkën, Nurije Facaj. Krimi ka ndodhur në vitin 1996, ndërsa u zbulua nga policia 11 vite më pas, ndërkohë që bashkëshortët Facaj e kishin deklaruar të humbur vajzën e tyre. Ajo u gjet në mars të vitit 07, e varrosur shumë pranë banesës në fshatin e lindjes, ndërsa shkak për vrasjen makabre brenda familjes është bërë largimi për disa vjet jashtë vendit i 19-vjeçares pa dëshirën e prindërëve.
Arrestimi
Pasi janë vënë në prangat e policisë për krimin makabër, asnjëri prej prindërve nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Por pas disa seancash, kanë pranuar se e kanë vrarë dhe e kanë groposur. Në një dëshmi para togave të zeza, babai vrasës pranon se e ka vrarë të bijën dhe më pas e shoqja e ka ndihmuar ta groposë. Ndërsa janë betuar se kjo histori do të vdesë bashkë me ta.

Dëshmia e prindërve që masakruan 19-vjeçaren

Brahim Facaj ka pohuar të ketë vrarë vajzën e tij, ndërsa bashkëshortja e tij vetëm e ka ndihmuar ta groposin atë. Megjithatë, i pandehuri ka pohuar se vetëm e kishte goditur vajzën e tij. Ai e ka përjetuar keq këtë ngjarje, që, sipas tij, ishte aksidentale, sepse nuk kishte dashur ta vriste dhe se pas kësaj ishte detyruar të bënte një shtëpi tjetër e të zhvendosej prej së vjetrës, ku ndodhi krimi. “Nuk mund të jetoja dot më aty”, - ka thënë para trupit gjykues Brahim Façaj, vrasësi i vajzës së tij 19-vjeçare. Para trupit gjykues babai vrasës ka bërë të ditur motivet, sipas tij, që e shtynë në kryerjen e krimit. “Vetëm e kam goditur, por ajo vdiq dhe më pas mendova ta fsheh kufomën, duke e varrosur prapa shtëpisë. Më pas jam larguar duke bërë një shtëpi tjetër, pasi nuk rrija dot aty. Por nuk jam penduar, pasi mirë ia bëra. Fundja për një nder rrojmë. Afërdita është larguar nga shtëpia e të shoqit dhe, sipas banorëve të fshatit ku ajo kishte lindur, mësohet se ishte lidhur me disa persona problematikë e me precedentë. Pikërisht këta persona e kishin dërguar 19-vjeçaren në Itali, nga ku pas disa vitesh ajo ishte kthyer së bashku me një fëmijë, djalë. Afërdita mësohet se e kishte lënë djalin te babai i saj, për t u larguar sërish e për t u rikthyer në vitin 1996, ku edhe ka dashur ta marrë djalin. Në këtë rikthim të vajzës, mësohet se babai i saj, Brahimi, nuk ka duruar më, por e ka vrarë vajzën.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›