E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i emigrantëve me zarf

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim propozon votimin e emigrantëve me zarf. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se ky propozim, i cili do të shtrohet dhe në komisionin për Kodin Zgjedhor, do të jetë prioritet i kësaj force politike. Ai sqaron se grupe të posaçme pune, të zgjedhura nga KQZ, do të duhet të merren posaçërisht me evidentimin e listave të shpallura nga Komisionet Zgjedhore Zonale (KZZ). Këto grupe duhet të evidentojnë qytetarët shqiptarë, të cilët kanë mbushur moshën e duhur dhe ndërkohë janë shpërngulur jashtë vendit për arsye pune. Ky evidentim do të bëhet me një kod të veçantë, është një praktikë e cila është zbatuar në zgjedhjet e vitit 2007, por që ngeli përgjysmë dhe nuk u konkretizua me votën e emigrantëve. Njëherësh këto grupe pune, do të përcaktojnë edhe dy gjëra themelore. Në radhë të parë se në çfarë njësie vendore emigranti ka marrë dokumentin identifikues, pra pasaportën, në momentin e largimit nga vendi. Në bazë të këtij përcaktimi, edhe emigranti do të votojë për rajonin e caktuar, në qarkun e caktuar. Nuk do të merren në konsideratë shpërnguljet që mund të ketë bërë familja e tij brenda vendit. Gjithashtu, ajo që është shumë e rëndësishme, grupet e punës do të përcaktojnë edhe adresën e saktë, vendqëndrimin e saktë të emigrantit jashtë shtetit. “Pasi të hartohet e gjithë lista e emigrantëve, kjo listë pas qarkut, do t i dërgohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komision i cili do të dërgojë në çdo KZZ, fletët e votimit për t i dërguar jashtë shtetit tek emigrantët në fjalë. KZZ-të do të përcjellin në adresë dhe në emër të çdo emigranti, që është i regjistruar në njësinë e tij përkatëse zgjedhore në Shqipëri, një zarf të madh, i cili do të përmbajë një fletë orientimi për mënyrën e votimit dhe një zarf tjetër të vogël, i cili ka brenda fletën e votimit. Por, ky zarf i vogël, nuk ka emrin e personit, për të ruajtur fshehtësinë e votës. Emigranti, pasi voton, vë shenjën përkatëse e mbyll zarfin dhe voton normalisht”, - shpjegon Xhufi. Ai tha se të gjitha shpenzimet postare do të përballohen nga shteti, pra do të jenë të parapaguara, duke përfshirë edhe zarfin e vogël. Në këtë mënyrë, do të mblidhet vota e emigrantëve në njësitë vendore, ku ata kanë qenë në momentin kur janë larguar nga vendi. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme, e mundur për të realizuar më në fund edhe të drejtën kushtetuese të emigrantëve. “Ky propozimi yni do t i përcillet mbledhjes së parë të Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ne do të punojmë dhe do të luftojmë, në mënyrë që këto elemente të integrohen edhe në Kodin Zgjedhor, që pritet të hartohet ndërkohë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›