Letra për KE-në, Topalli: Do të ndryshoj delegacionin
Edhe Topalli i drejtohet KE-së me letra. "Islami do të qëndrojë në delegacion deri sa PS-ja të vendosë emrat"
TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përpos problemit të krijuar me përbërjen e delegacionit shqiptar, dy ditë më parë bëri publike një letër të Sekretares së Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade. Por, letra që ajo bëri publike, duke akuzuar njëherazi PS-në se ka ushtruar presion përmes letrave dhe telefonave nuk ishte rasti i fundit.
Këtë metodë ka ndjekur edhe vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes një letre dërguar Kryetarit të komisionit për Rregulloren e Punës, Imunitetet dhe Çështjet Institucionale, që dje paradite "shkriu" kredencialet e delegacionit shqiptar.
Në letrën që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dërguar thuhet se ka zbatuar me përpikëri rregulloren. Topalli ka shpjeguar përbërjen e delegacionit, ku krejt haptazi duket se ajo nuk ka ruajtur raportet e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.
Në letrën e dërguar, ajo sqaron se Shpëtim Idrizi është anëtar i delegacionit, edhe pse në fakt kjo parti përfaqësohet vetëm me dy deputetë në Kuvend. Madje, kryetarja e Kuvendit jo rastësisht nuk e ka cilësuar PDU-në se kujt kahu politik i përket mazhorancës apo opozitës.
Po aq sa PDU-së, Topalli është mjaftuar t'i lërë edhe PS-së, ndërsa është justifikuar që kësaj të fundit i ka shtuar një zëvendësues më shumë nga sesioni i kaluar, që në realitet nuk do të thotë asgjë, pasi zëvendësuesi nuk ka të drejtë vote në seancat plenare.
Topalli ka pranuar gjithashtu se ka përfshirë personalisht emrin e Kastriot Islamit si zëvendësues në delegacion, edhe pse ky i fundit është i PS-së.
"Në mungesë të Kryetarit të Grupit Socialist, nuk kisha me këtë të diskutoja për emrat e përfaqësuesve të PS, (siç kërkohet nga rregullorja), por i lash vendet e tyre të zbrazura, deri kur t'i japin fund bojkotit të tyre. Zoti Kastriot Islami (ka qenë anëtar i delegacionit dhe reporter për Gjeorgjinë.) Emri i tij u la aty si zëvendësues, derisa PS-ja të vendosë vetë për emrat", - shkruan ndër të tjera Topalli.
Megjithatë, ashtu si edhe më sipër edhe në fund të letrës së dërguar, Topalli ka lënë të kuptohet se do të ndryshohet kjo përbërje sapo PS-ja të futet në Kuvend. "Në momentin që grupi socialist do të hyjë në Kuvend, dhe të zgjedhë Kryetarin e Grupit, unë do të konsultohem me të, siç kërkohet edhe nga rregullorja dhe do t'ju dërgoj juve emrat që ata vetë do të vendosin si anëtarë socialist dhe zëvendësues në Asamble", thuhet në letër.