E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin për shkarkimin e Aleksandër Çelës, kryetarit socialist të komunës Dardhas

27-07-2013 / Gazeta 55

Rrëzohet ankimimi i ish-kryetarit socialist të Komunës Dardhas, Aleksandër Çela, i cili u shkarkua nga Këshilli i Ministrave për fshehje të pasurisë. Pretendimet e tij janë cilësuar të pabaza, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, e cila e kishte deklaruar atë fajtor

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Komunës Dardhas, në Pogradec, Aleksandër Çela i zgjedhur nga radhët e PS. Një vit më parë ai ngriti një padi kundër qeverisë për shkarkim të padrejtë ndaj tij. Përmes një kërkese drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Aleksandër Çela kërkoi revokimin e vendimit të firmosur nga kryeministri Berisha. “Shfuqizim si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.159, datë 27.02.2013 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komunës Dardhas, z. Aleksandër Çela”. Në fillim të marsit, kryeministri Sali Berisha vendosi që të shkarkojë kreun e komunës Dardhas në Pogradec, Aleksandër Çela, pasi u gjobit me 1 milion lekë nga Gjykata e Pogradecit, në mars të vitit të shkuar, për mosdeklarim të pasurisë, pas një padie të ngritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Ndërkaq, vendimi i Kushtetueses e konsideron si të pabazuar pretendimin e kërkuesit se ai duhet të përfitonte dhe nga ligji nr.107, datë 28.11.2012 “Për dhënie amnistie”. “Në çështjen konkrete ndodhemi para rastit kur ligji nr.107, datë 28.11.2012 “Për dhënie amnistie” nuk gjen zbatim, pasi vendimi ka marrë formë të prerë dhe është ekzekutuar”- thuhet në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. Pretendimi i shkarkimit pa të drejtë nga detyra të kërkuesit, thuhet në vendimin e Gjykatës, ka konkluduar se ky pretendim është i pabazuar. Përmes arsyetimit të saj, ajo është shprehur se shkelja që i atribuohet kërkuesit lidhet me një vendim gjyqësor të formës së prerë, që e ka deklaruar atë fajtor për veprën penale të refuzimit për deklarim të pasurisë të personave të zgjedhur, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i parë i Kodit Penal (paragrafi 31 i vendimit). Në vlerësimin e shumicës, kryerja e një vepre penale përbën formën më të rëndë të shkeljes së ligjit dhe, në këtë kuptim, parashikimi si shkak për shkarkimin e kryetarit të komunës, i dënimit me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 42/b të ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (ligji 8652/2000), nuk del jashtë kuptimit të nenit 115 të Kushtetutës”- thuhet në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata arrin në përfundimin se kërkesa për shfuqizimin e vendimit nr.159, datë 27.02.2013, të Këshillit të Ministrave, për shkarkimin nga detyra të z.Aleksandër Çela, kryetar i komunës Dardhas, Pogradec, është e pabazuar dhe, si e tillë, duhet rrëzuar.
Vendimi i Kushtetueses është përfundimtar dhe i formës së prerë. Sipas nenit 115/1 të Kushtetutës, organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”. Ndërsa neni 42 i ligjit 8652/2000, përveç shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose ligjeve, përcakton si shkak për shkarkimin e kryetarit të komunës, ndër të tjera, rastin kur ky i fundit dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›