E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me deputetët e PS-së, Rama: Kushtet tona për njohjen e zgjedhjeve

PS-ja nuk do ti njohë zgjedhjet nëse i hiqet mandati i 9-të në qarkun e Fierit. Kushti i dytë i selisë rozë është numërimi i të gjitha kutive në Berat dhe në Shkodër

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me të 140 kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe me krerët e bashkive në vend që qeverisen nga socialistët. Takimi është zhvilluar në hotel “Tirana International” dhe ka pasur për qëllim diskutimin e situatës paszgjedhore. Në këtë takim, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me funksionarë të lartë të kësaj partie, kanë shprehur unanimisht vendimin se në rast se Partisë Socialiste do t’i mohohet mandati i 9-të në qarkun e Fierit, si dhe në rast se nuk do të numërohen të gjitha kutitë e votimit në qarkun e Beratit e atë të Shkodrës, Partia Socialiste nuk do t’i njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në takimin e zhvilluar nuk ka pasur asnjë diskutim apo debat që shprehte pakënaqësi ndaj rezultatit zgjedhor. I vetmi që ka folur ka qenë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka kërkuar gjithashtu nga kandidatët që të dokumentojnë të gjithë informacionin që ata kanë për manipulimin e procesit zgjedhor. Takimi i kryesocialistit Edi Rama me deputetët e sapozgjedhur pason takimin e Kryesisë së Partisë Socialiste të dy ditëve më parë.

Fieri
Mandati i 9-të i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit vijon të kthehet në një mollë sherri midis Partisë Socialiste, KQZ-së, qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Qarku i Fierit ishte edhe një nga zonat më të nxehta gjatë procesit të numërimit të votave. Partia Socialiste pretendon se ka fituar 9 mandate, por duket se koalicioni “Aleanca e ndryshimit” është shumë afër fitimit të mandatit të 9-të, të cilin e përfiton Partia për Drejtësi dhe Integrim. Për këtë mandat, Partia Socialiste, për disa ditë me radhë ka shprehur shqetësimin e saj, duke kërcënuar me protesta si dhe me mosnjohjen e zgjedhjeve. Por opsioni i mosnjohjes së zgjedhjeve është përforcuar gjithashtu edhe me dy kushte të tjera. Konkretisht, Partia Socialiste do ta quaj të pavlefshëm procesin zgjedhor jo vetëm nëse i hiqet mandati i 9-të, por edhe në rast se nuk do të numërohen të gjitha kutitë e votimit në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Shkodrës.

Manipulimet
Gjatë takimit të djeshëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka kërkuar të gjithë deputetëve të sapozgjedhur që të mbledhin të gjithë informacionin e nevojshëm që ka të bëjë me manipulimet që kanë ndodhur si gjatë procesit të votimit, ashtu dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas kryesocialistit, i gjithë ky informacion duhet të dokumentohet në mënyrë që Partia Socialiste, me anë të raporteve të posaçme që do të hartojë, t’ia vë në dispozicion të gjithë faktorit ndërkombëtar. Dokumentimi i manipulimeve të procesit zgjedhor të 28 qershorit mund të shërbejë edhe si prova e fortë e Partisë Socialiste për kontestimin e rezultatit zgjedhor.

Simpatizantët
Gjatë takimit të djeshëm, nga ana e shumë deputetëve të Partisë Socialiste është shprehur shqetësimi për largimin nga puna të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, të cilët dhanë kontributet e tyre pranë kandidatëve për deputetë gjatë fushatës elektorale. Deputetët socialistë kanë raportuar se në shumë qytete të vendit po ndodh një hakmarrje e vërtetë politike. Sipas tyre, simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Socialiste po largohen dhe po hiqen padrejtësisht nga puna vetëm pse ata kanë bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Deputetët e Partisë Socialiste

Qarku Shkodër 4 mandate

Ilir Beqja
Tom Doshi
Ndue Kola
Astrit Beci

Qarku Kukës 1 mandat

Asllan Dogjani

Qarku Dibër 2 mandate

Sadri Abazi
Qemal Minxhozi

Qarku Durrës 5 mandate

Blendi Klosi
Rudina Seseri
Hazir Gashi
Gazmir Bizhga
Klodiana Spahiu

Qarku Tiranë 15 mandate

Vasilika Hysi
Besnik Baraj
Kastriot Islami
Sajmir Tahiri
Fatmir Xhafaj
Andis Harasani
Ditmir Bushati
Eglantina Gjermeni
Namik Dokle
Enkeleda Shkreli
Eduard Shalsi
Xhemal Qefalia
Dashamir Peza
Ilir Gjoni
Artan Gaçi

Qarku Elbasan 7 mandate

Valentina Leskaj
Ilir Bejtja
Shegushe Ligori
Taulant Balla
Damian Gjiknuri
Agim Leka
Skënder Hasa

Qarku Berat 4 mandate

Erion Braçe
Fidel Ylli
Ermonela Velaj
Marko Bello

Qarku Vlorë 6 mandate

Arben Isaraj
Luiza Xhuvani
Arben Malaj
Shpëtim Idrizi
Eltar Deda
Fatmir Toçi

Qarku Gjirokastër 3 mandate

Arta Dade
Vangjel Tavo
Ethem Ruka

Qarku Korçë 6 mandate

Ben Blushi
Pandeli Majko
Mimi Kodheli
Alfred Dalipi
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka

Qarku Fier 9 mandate

Gramoz Ruçi
Ermelinda Meksi
Albert Caci
Fatos Tushe
Armando Subashi
Bashkim Fino
Ervin Koçi
Arben Çuko
Pirro Lutaj

Qarku Lezhë 3 mandate
Gjok Jaku
Gjovalin Kadeli
Armando Prenga

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›