Gjykata Kushtetuese prezanton raportin 2025: U regjistruan 501 kërkesa, u dhanë 85 vendime përfundimtare

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë prezantoi sot raportin vjetor 2025, në një aktivitet të posaçëm të organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikëve, ekspertëve të së drejtës kushtetuese dhe përfaqësuesve të medias.
Në raportin vjetor të publikuar nga Gjykata Kushtetuese nënvizohet se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 501 kërkesa të reja, të cilave u janë shtuar edhe 104 kërkesa të mbartura nga viti 2024, pra një total prej 605 kërkesash. Në vitin 2025 kishte një rritje të kërkesave prej 17% nga 2024.
Sipas raportit, Gjykata Kushtetuese gjatë vitit 2025 ka dhënë në total 429 vendime të arsyetuara, 85 vendime përfundimtare dhe 344 vendime moskalimi, 28 nga Mbledhja e Gjyqtarëve dhe 316 nga Kolegjet e Gjykatës Kushtetuese.
Raporti thekson se 173 kërkesa kanë kaluar për shqyrtim në vitin 2026. Numri më i lartë i kërkesave të paraqitur ka qenë nga individët 485 kërkesa të paraqitura, ose 97% e tyre dhe pjesa tjetër janë subjekte të tjera.
Raporti nënvizon se të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të arsyetuara përfshirë edhe vendimet e moskalimit, të cilat janë të arsyetuara për kriteret e pranueshmërisë.
Mesatarja e shqyrtimit të çështjeve për vendimet përfundimtare ka qenë 8 muaj, ndërsa mesatarja e shqyrtimit të çështjeve për vendimet e moskalimit, ka qenë 3 muaj.
Sipas raportit, Gjykata ka respektuar afatet procedurale të kërkesave, në përputhje me parashikimet e ligjit organik të Gjykatës, si dhe me Rregulloren për Procedurat Gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese.
“Asnjë çështje nuk është e tejzgjatur apo e prapambetur. Vlen të theksohet gjithashtu fakti që në Gjykatë nuk rezulton të jetë paraqitur asnjë kërkesë për tejzgjatje të procesit para Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në raport.
Sa i përket numrit të kërkesave të paraqitura, 377 kanë si objekt kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm; 59 kanë si objekt kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, së bashku me konstatim të cenimit të së drejtës si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm; 20 kanë si objekt papajtueshmërinë e ligjeve (apo dispozitave të veçanta të tyre) me Kushtetutën; 13 të tjera kanë si objekt konstatimin e cenimit të së drejtës si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm; 10 kanë si objekt interpretim/ korrigjim/ rishikim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; 7 kanë si objekt shfuqizimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm së bashku me papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën; 7 kërkesa të tjera kanë si objekt shfuqizimin e akteve të pushtetit publik; 3 kanë si objekt shfuqizimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën; 2 kanë si objekt shfuqizimi i vendimeve të Kuvendit të Shqipërisë; 2 kanë si objekt konflikt kompetencash; 1 ka si objekt deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës, Fiona Papajorgji, e cilësoi vitin 2025 si një fazë të rëndësishme në konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese dhe në forcimin e rolit të Gjykatës si garantuese e rendit kushtetues, shtetit të së drejtës dhe e të drejtave dhe lirive themelore.
Ajo u shpreh se “numri në rritje i kërkesave është vlerësuar si shprehje e rritjes së besimit të publikut në garancitë e drejtësisë kushtetuese, si dhe si afirmim i rolit të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”.
Gjatë prezantimit të arritjeve dhe sfidave të vitit 2025, u nënvizuan edhe disa nga vendimet më të spikatura të vitit 2025, të cilat kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në jurisprudencën kushtetuese, duke trajtuar çështje që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e jetës private dhe të të dhënave personale, paprekshmërinë e banesës dhe ambienteve profesionale, të drejtën e pronës, si dhe standardet e procesit të rregullt ligjor.
Gjatë sesionit të diskutimeve, pjesëmarrësit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndanë eksperiencat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi çështjet kryesore të diskutuara, duke nxitur një dialog të hapur e konstruktiv.
Pjesëmarrësit në aktivitet vlerësuan veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese dhe veçanërisht orientimin e saj drejt një qasjeje më transparente ndaj qytetarëve dhe medias.
/m.q/r.e/