Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se ka vendosur të rrëzojë me shumicë votash kërkesën për pezullimin e ligjit për komisionet hetimore.
Gjykata Kushtetuese në një njoftim për mediet bën të ditur vendimi vjen për mospërmbushje të kushteve të parashikuara në ligj për cilësimin e kërkesës si urgjente, dhe kjo në kushtet kur vetë Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën për përshpejtim dhe gjykim për themelin e çështjes që pritet të përfundojë së shpejti.
Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, pezullimin e zbatimit të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi që në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti”.
Për sa më sipër, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash vendosi: Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.