Gjykata Supreme refuzon ankesat per zgjedhjet
Gjykata Supreme e Kosovës, si instancë e fundit e ankimimit sipas Ligjit mbi Zgjedhjet, ka refuzuar të gjitha ankesat që i janë drejtuar ndaj parregullsive të pretenduara zgjedhore, njofton Televizioni i Kosovës. Duke u thirrur në burimet e veta brenda këtij institucioni, RTK tha se Gjykata Supreme nuk ka gjetur baza për të miratuar ndonjë nga ankesat. Pohohet se është refuzuar edhe ankesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kundër KQZ-së, e bërë me motiv se kjo e fundit kishte shkelur Ligjin mbi zgjedhjet kur vendosi rivotim në Komunën e Deçanit. Sipas AAK-së, KQZ-ja kishte tejkaluar kërkesat e PZAP-it dhe kishte vendosur në mënyrë arbitrare në kundërshtim me udhëzimet e këtij të fundit dhe me gjendjen faktike. Ajo i kishte propozuar Gjykatës Supreme të Kosovës që të anulojë vendimin e KQZ-së dhe çështjen ta kthejë në procedurë sërish.