E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Smajl Latifii AAK-së kryetari komunës së Rahovecit

PRISHTINË- Mandatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, në bazë të rezultatit përfundimtar, e ka fituar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi, konfirmoi zyrtarisht KQZ në mbledhjen e sotme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, njoftoi se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Rahovec, në raundin e dytë, të zhvilluar të dielën, pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit arriti në 39.80%.

Në bazë të rezultatit përfundimtar, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ibrahim Kryeziu ka fituar 44.24%, ndërsa kandidati i AAK-së, Smajl Latifi 55.76% të votave.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i muajit shtator, e çoi Rahovecin në zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe pse kryetari i komunës, Qazim Qeska, nga PDK, ishte kthyer në punë 47 ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme.

Gjykata njëzëri vendosi se "dorëheqja e cilitdo kryetar komune është përfundimtare dhe definitive dhe i jep fund mandatit të kryetarit të komunës" dhe se "pasojat kushtetuese të veprimit të tillë janë shpallja e zgjedhjeve".

(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›