Gjykata Supreme shkarkon drejtorët e QKUK-së

Emërimi i drejtorëve të klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 9 korrik të vitit të kaluar është shpallur përfundimisht i kundërligjshëm.
Kështu ka vendosur të premten Gjykata Supreme nga e cila kishte kërkuar interpretim vet drejtori i QKUK-së Nijazi Gashi.
Vendimi për paligjshmërinë e konkursit për rekrutimin e drejtorëve të klinikave Gjykata Supreme ua ka dërguar palëve në kontest, Ministrisë së Shëndetësisë, QKUK-së dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
Kryetari i Këshillit, Mehdi Geci ka konfirmuar për “Tribuna Shqiptare” marrjen e vendimit nga Gjykata.
“Sot Gjykata Supreme e ka vërtetuar atë që ne e kemi thënë vitin e kaluar për konkursin e paligjshëm të QKUK-së për emërimin e drejtorëve të Klinikave. Është shumë keq që kaq kohë është dashur që QKUK të bindet për parregullsitë. Tani i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërhyjë dhe të ndërmarrë diçka në QKUK për sanimin e gjendjes”, ka thënë Geci./Indeksonline/