E vërteta për Dardania Bankën kërkohet në tri shtete

Emrush Çeku ka ardhur nga Gjermania për të pushuar pak ditë në vendin e lindjes, në Pejë. Me vete bart një çantë të zezë, brenda së cilës konsideron se e ka një “thesar” të paçmueshëm. Nuk bëhet fjalë për ar as për para, por për disa dhjetëra fotografi, të bëra në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar.
Ato dëshmojnë se ai ka pasur kontakte me figurat kryesore politike e ushtarake në Kosovë. Shihet me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, ashtu sikur edhe me komandantët që po ashtu nuk janë në jetë: Adem Jashari, Tahir Zemaj e Sali Çekaj. Këtë të fundit e kishte kushëri. Nuk përton t’i shfletojë një nga një ato fotografi dhe nuk i bënë aspak përshtypje se çka mund të thotë përreth tavolinës klientela e njërit prej restoranteve në qendër të Prishtinës, raporton "Koha Ditore".
Pasi i interpreton disa sosh, dora i ndalet tek njëra.
Në të shihet një person kokulur duke e mbajtur një fletore në prehër. Pranë tij, është Rugova. Të dy janë të ulur në një kauç të thjeshtë, i cili i përshtatet dhomës ku është i vendosur.
“Është Bujar Bukoshi, duke i dhënë llogari Rugovës për qeverinë në ekzil. Është, Bujari i mirë, jo ky që është sot”, thotë Çeku./Indeksonline/