E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra e tre shqiptarëve, në çerekfinale

Shqipëria, ende e ka të vështirë të bëjë përpara në kompeticionet futbollistike ndërkombëtare si në nivel të rriturish ashtu edhe në nivel të rinjsh, por, gjithsesi, përfaqësues të saj në këto evenimente janë talentet shqiptare që luajnë në kombëtaret e huaja. Një rast i tillë haset te përfaqësuesja U-17 e Zvicrës, e cila është kualifikuar në çerekfinale të Botërorit Nigeria 2009, pasi të mërkurën mundi 4:3 Gjermaninë pas kohëve suplementare. Treshja shqiptare, Pajtim Kasami, Granit Xhaka e Frederik Veseli, kanë luajtur që nga minuta e parë për helvetikët, gjë të cilën e ka bërë edhe futbollisti tjetër Shkodran Mustafi për Gjermaninë. Kapiteni Veseli luajti gjatë gjithë takimit, Xhaka u zëvendësua në minutën e 112-të nga Nimeley, kurse Kasami ia lëshoi vendin lojtarit Hajroviç në minutën e 83-të. Ndërsa Shkodran Mustafi në radhët e gjermanëve u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 106-të. Edhe pse ndeshja u mbyll me një goleadë të vërtetë, plot 7 gola, për fat të keq asnjë prej tyre nuk mban firmën "shqiptare".

A. M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›