Gjykata dënon Sajmir Tahirin, reagon deputeti i PS: Kërcënimi i Topallit u bë vendim gjykate.
Gjykata e Tiranës gjobit me 3.3 milion lekë deputetin socialist Saimir Tahirin pas akuzave kundër deputetes demokrate Albana Vokshi, për favorizim të bashkëjetuesit të tij Arian Tartari në tenderët e koncesioneve të hidrocentraleve.
Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Tahiri.
U njoha nëpërmjet mediave mbi vendimin që ka marrë gjyqtari Asim Vokshi në lidhje me padinë që ka bërë ndaj meje deputetja Albana Vokshi pse e akuzova se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar nga koncesionet. Nuk jam njohur ende me vendimin dhe as me arsyetimin e tij, por sigurisht nuk prisja që kërcënimi i Jozefina Topallit në seancën e kaluar do kthehej kaq shpejt në vendim gjykate. (Deklarata e Jozefina Topallit ne seancën e kaluar, Dt 20.10.2001: Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri më datë 31 dhe tjetri më datë 26. Fletë-padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë) Pa paragjykuar, uroj që gjyqtari Vokshi të ketë arritur me sukses të sqarojë se në cilën pjesë të deklaratave të mia nuk kam thënë të vërtetën. Një gjë është e sigurt, jo Albana Vokshi e cila është vetëm një copë e vogël e dhjamit të pushtetit, por as Jozefina Topalli e as Sali Berisha dhe pushteti i tyre i krimbur, nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën duke më ndaluar të them të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për këtë qeveri, tha Tahiri.