Edi Rama: Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar
Kryetari i PS, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha se ai po shkruan për të rivalizuar Ben Blushin. Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar, po s’e ka nga shkrimet e librat, e ka nga vrima ku u gjet Kadafi! shkruan Rama në profilin e tij në Twitter. Kryeministri ka komentuar në mbledhjen e grupit të PD faktin që Rama po publikon një libër. Ndërkohë, mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri që në të vërtetë meriton titullin Kur hidheshin themelet e korrupsionit, e ka gjithnjë një kthim tek libri Kur lindi partia, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull Kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashkinë e Tiranës, libri rezulton që është i tëri, një vaje për bashkinë e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë, totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. Libri hapet me epitafin Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e bashkisë, mbeçë. Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia sepse më iku bashkia. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër, ky zotëri. Njëherë mendova se mos ndoshta, ky do të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij, sa kjo dhomë, që edhe po ti kishte Blushi tre jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin – thotë ai- shkruajnë , – ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time, tha Berisha.