Kontestuesi i pabesueshëm i të gjitha zgjedhjeve, pas 2005-s
Kuptohet se ky është Edi Rama. Ai nuk kundërshtoi, se i erdhi për osh, vetëm ato të 2005-s. Jo se ato ishin më të mirat, në kuptimin e transparencës, të teknologjisë elektronike, të listave zgjedhore që u quajtën, në mënyrë përkeqësuese, “listat e Finos”. Në këto të fundit nuk figuronte në listë as njëri prej aktivistëve më të përkushtuar të P. Demokratike, i ndjeri Bardhyl Vuçiterna. Bardhyli ishte ndër kryetarët e komisionit zgjedhor që do të bëheshin në shkollën “7 Marsi”. Shtëpia e Bardhylit ishte ngjitur me këtë shkollë. Korrigjimet që u premtuan të bëheshin në listat e reja mbetën si një premtim i pa mbajtur, jo vetëm në këtë zonë. Korrigjimet, tanimë, do të duheshin të bëheshin me vendim gjyqi! Merren me mend vështirësitë e rasteve të tilla. Shumë votues iu shmangën radhëve të gjata. Të tjerë, të zhgënjyer, morën përgjigjen se duhej të vinte në Kinostudio për të votuar. Burri në “7 Marsi”, gruaja afër malit të Dajtit! Abstenimet në masë, nënkuptohen. Bardhyli i duroi privimet për të mos mbetur përjashtues, për faktin se ishte kryetar i komisionit zgjedhor e duhej zgjedhur një tjetër…U rraskapit, i shkreti. Por pati edhe një tension nervor që, pas një jave, u godit nga një infarkt.
Megjithatë doli fituese PD-ja. Pas një tetëvjeçari katastrofik, vetë Rama tha se “e kishim me hak humbjen”. Dhe e përshkroi atë tetëvjeçar qeverisës të PS-së si një qeverisje të korrupsionit, të trafikut të qenieve njerëzore e të narkotikëve, të arratisjes së njerëzve në mënyrë klandestine me gomone, një pjesë e të cilave i rrëmbyen dallgët e detit Jon… Me një gëzim të brendshëm, se i kishte trokitur shansi që të ngrinte flamurin e cenimit të nenit 28 të statusit të PS-së. Zgjedhjet e tjera u përmirësuan ndjeshëm, duke u kompjuterizuar listat zgjedhore, kështu që mundësia e dublikimeve, por edhe gabimet në mosgjetjen e emrit, mund të ndreqeshin menjëherë. Veçse më të mirat fare ishin zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011, me një transparencë të paparë ndonjëherë. Për hir të transmetimeve 24/24 orë (pra, pa ndërprerje), shikuesi i këqyrte vetë, si edhe anëtarët e KQZ-së, me të gjitha debatet e brendshme, në të gjitha hollësitë, numërimet e votave, një për një. Madjé edhe transportimin e kutive të votimit, nga depozitimi në magazinën ruajtëse, gjer në selinë e KQZ-së. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i habiti njerëzit jomilitantë dhe të paanshëm me gjakftohtësinë e tij shembullore dhe me qëndrimin e tij të paqortueshëm. Por ana e majtë e këtij komisioni ishte porositur nga ai që e quante veten si njeriu i transgresioneve dhe i provokacioneve, që të gjenin qimen në përpeq. Një rast domethënës: Në njërën nga vendosjen në makinën transportuese të kutive me disa elemente sigurie në kod, njëra ndër mbartëset e kutive prej kauçuku, bëri sikur i rrëshqiti dora dhe kutia ra nga makina. Ajo kuti pati një plasurimë. Kjo u bë objekt diskutimesh, sikur ky “dëmtim” në të cilin nuk hynte dot as maja e një bisturie, na qenkësh një e çarë, ku mund të hynte dora gjer në bërryl! Ishte provokimi i të vetëquajturit “njeriu i transgresioneve”, provokim i cili duhej të jetësohej si një zbatim i urdhrave të Edit. Por ja që dëmtuesja (me dashje, qoftë edhe pa dashje) paskësh qenë e partisë së E. Ramës! Nga ana tjetër u kërkua nga ana e paditur që objektivi i kamerës të afrohej që të shihej mirë nëse në këtë kuti kauçuku hynte apo jo gishti i vogël, pa lé dora gjer në bërryl! Pas kësaj ngjarjeje groteske na del prononcimi i kandidatit (humbës) të bashkisë, Edi Ramës, i cili gjeti një yçkël tjetër për të mos dalë humbës.
Sipas tij, votat e hedhura në kutinë e gabuar u dashkan quajtur të pavlefshme (!). Nuk mjaftoi kjo, por sapo arriti numërimi te +10-a për të, ai e quajti veten fitues, me gjestikulacionet e tij të njohura dhe me hedhjet si në cirk, ( prandaj nuk janë të paktë ata që e quajnë “njeriu që flet me këmbë e me duar!). Si megaloman i pashërueshëm, ai nuk i njeh as kompetencat e tij. Përfundimet jepen vetëm nga organi i ngarkuar me këtë mision, KQZ-ja. Ka të drejtë karakterizimi që i ka bërë z. Kastriot Islami, se ai ka maninë e inferioritetit, sepse e ndjen paaftësinë në ekonomi, në shkencat ekzakte, në jurisprudencë. Kësisoj, themi né të tjerët, inkoherencat dhe kundërthëniet e tij të vazhdueshme e kanë burimin edhe te megalomania dhe te pëlqimi i vetvetes (narcizizmi ). Mendja e madhe, e zeza e të zot, është një frazë e urtë popullore. Duke mos njohur thelbin e ligjeve, mëton në mënyrë të zhurmshme të kërkojë një vendim nga Komisioni i Venecies. Vajti si dashi te Kasapi. Mori përgjigjen se kutitë nuk zëvendësojnë vullnetin e votuesit. Shumë zhurmë për asgjë!
Kështu, me logjikën e lehtësuar të Tartarinit të Taraskonit të Alfons Dodésë, kaplohet vazhdimisht nga halucinacionet dhe i sheh të gjitha dështimet si fitore! Dhe gafat renditen të njëpasnjëshme. Më 10 dhjetor 2011, Rama kërkonte në Kosovë takim me Ramush Haradinajn, kur ky ishte i burgosur në Hagë, në pritje të gjykimit! Dhe, si njeri i papërgjegjshëm, justifikohej se ia kishte fajin K. Islami, ndërsa dokumenti është zyrtarizuar në kabinetin e kryetarit, me titullare Belinda Ballukun. Për skandalin Barjaba, Edvini thotë se kryetari i kësaj familjeje (burrë, grua, vajza 23 vjeçe), kryetari i PS-së shprehet se babai vjedhës në supermarket nuk është anëtar i PS-së por është ofruar vetë, vullnetarisht, për të ndihmuar partinë në programin e saj ekonomik. Por, pas tri ditësh, thotë se është përjashtuar nga P. Socialiste! Në faqen 13 të “Kurbanit të tij mashtrues”, autori orvatet të na mallëngjejë me varfërinë e tij bashkëshortore në një skutë prej 75 m². Citojmë: “Sot jetoj me Lindën në 75 m² pa ballkon, të marrë me qira, qyshse u martuam tetorin e shkuar”. Fabula vijon me ndarjen e dhomës së ndenjjes me atë të gjumit, me anën e librave, (të vëna si në vend të tullave!) në mungesë të murit ndarës! Jetë muhaxhirësh! Më tej: “Kravatat janë varur (të varura) anash krevatit në një ready made (kursivi i autorit) (mbajtëse e gatshme rrobash – shënim) që ndan gjumin me kthinën e veçuar ku rrobat e saj e të miat qëndrojnë me këmbë puthitur me njëra-tjetrën ... Tavolina e ngushtë...(Nuk më ecën dora në tastierë me këto skuta si të Ternardierëve të V. Hygoit, me dallimin se këtu emri është i gjinisë femërore në shumësin e shquar që shoqërohet me mbiemrin e gjinisë mashkullore! Dhe me dallimin tjetër se shkrimtari francez nuk përdorte fjalë të huaja!). Mjafton të bëhet pyetja: Sa herë hyn syprina prej 75 m² në dyshemetë e pallatit pesëkatësh të Lindës?
***
Zgjedhjet e 1913-s duket se e kanë vënë në panik Edi Ramën. Gërr-gërret retorike të shablloneve monotone “na i vodhën votat”, tashmë janë bërë bajate. Mllefi dhe helmi që derdhën ndaj Arben Ristanit dhe grupit të tij në KQZ, pas hedhjes poshtë nga ana e Komisionit të Venecies, i cili vlerësoi vullnetin e zgjedhësit përkundrejt kauçukut të fletëvotimeve, ishte një zhgënjim i hidhur për vulëmbajtësin e PS-së, Rama. Sa për transparencën, ai ishte pikërisht antiteza e këtij nocioni, siç e shpjegoi qartësisht z. K. Islami. E pamë këtë farë “transparencë” në mësymjen e koordinuar të ER-së, siç nënshkruhej Rama në “Refleksionet” e bëra kurban, për t’i dhënë udhën një “Kurbani” të ri. Fjala e lirë e LMN-së u mbyt në një atmosferë thuajse konspirative në punimet e hermetizuara, pa asnjë gazetar. Tani, sa pa e filluar mirë punën, në KQZ-në e re, po fillojnë pakënaqësitë e komanduara. Po bëhet rutinë kjo “uverturë” kontestimesh, që do ta nxjerrë paragjykimin e mbjellë qysh tani, në një epilog të njohur në të gjitha dështimet e E. Ramës, pas 2005-s. Ngjarjet e kohëve të fundit për mashtrimin në deklarimin e pasurive të paluajtshme, që kanë lënë një vragë ndjellakeqe në detyrimin ligjor për të qenë të sinqertë në këto deklarime, e kanë diskredituar keqazi kreun e tanishëm të PS-së që e ka humbur fare drejtpeshimin. Militantët e tij gojëshpatë si ai vetë, po fillojnë të demaskohen gjyqeve për shpifje, pasi i janë shmangur gjykimit në shumë e shumë seanca gjyqësore. Ai i ka hyrë një udhe pa krye me thënie të pamenduara si bashkimin e të gjitha ndyrësive për të përmbysur “Salën”. Por kryeministri e quan atë, gjithmonë e vazhdimisht, me z. Rama! Ky “z.Rama” vërtet është vetëshpallur si jo politikan, por nuk përligjet gjer në mungesën tërësore të etiketës fillestare, në debatet e të gjitha zgjedhjeve të humbura. Si nuk ka nxjerrë mësim se zgjedhjet nuk fitohen me harbutërinë e papërmbajtur, si në zgjedhjet bashkiake kur e quante z. Lulzim Basha “Lul Sala!”. Megjithatë kandidati për bashkiak nuk e humbi gjakftohtësinë gjer në fund, kur e fitoi bashkinë me dhjetë herë më shumë vota se Edi Rama. Ky nuk ka vënë mend edhe në këtë humbje të radhës duke përmendur virgjërinë dhe patericat ndaj atyre që mëton t’i ketë aleatë! Por uthulla e fortë prish fuçinë e vet. Intelektualët e spikatur, që e kanë shtuar praninë e tyre në peticionin prej 250 vetash, gjer tani, i ka fyer marrëzisht me fraza të denja për një gojëzbrazët si ai!
Me këtë vulgaritet tërë mllefe, në parashikimin e z. Islami, ai e ka humbur pa asnjë mëdyshje edhe 2013-n. Paçka se do ta kontestojë sërish édhe humbjen e pritshme.