Shëndetësia dhe kontratat kolektive të Punës
Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo firmosi dy Kontrata Kolektive të Punës me sindikatat që mbulojnë sektorin e shëndetësisë. E para me Federatën e Sindikatave të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë, me Presidente znj. Irena Kola dhe e dyta me Sindikatën e Punonjësve të Shërbimit Stomatologjik të Shqipërisë, me President z. Petrit Frangu. Të dyja sindikatat janë në përbërje të KSSH. Kontrata kolektive shërben për rregullimin e marrëdhënieve juridike, raporteve ekonomike dhe sociale midis punëdhënësve dhe punëmarrësve, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve. Dy kontratat kolektive të cilat janë me afat 3 vjeçar, i hapin rrugën lidhjes së kontratave kolektive të niveleve të dyta. Sipas kontratës punonjësit e rinj që do të punësohen pranë këtyre sektorëve do t’i nënshtrohen një periudhe prove prej 3 muajsh ku do t’i paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në përputhje me Kodin e Punës. Gjatë kohës së provës, punonjësi paguhet me 100 përqind të pagës bazë. Në të dyja kontratat janë përcaktuar dhe largimet individuale nga puna ku punëdhënësi para se të vendosë largimin nga puna për punonjësin, duhet të zbatojë disa masa. Punëdhënësi është i detyruar në të gjitha rastet e largimeve të konsultohet paraprakisht me sindikatën. Sipas kontratës, kohëzgjatja e punës javore është jo më shumë se 40 orë në jave, si rregull e ndarë në 6 ditë, normalisht nga e hëna në të shtunë. Kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 8 orë, ose rast pas rasti, përcaktohet koha individuale e punës, sipas vendit të punës në sektorë të ndryshëm me kontrata të nivelit të dytë dhe individuale. Punonjësit nuk mund t’i kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur ai ka kryer 50 orë punë në javë. Për punën e kryer në ditën e pushimeve javore dhe festave zyrtare, punonjësit kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 %, ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25 % të kohëzgjatjes së kësaj pune që merret një javë para ose pas kryerjes së saj. Orët shtesë të kryera gjatë pushimit javor ose në ditën e festave zyrtare, kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 % më të madh se orët shtesë të bëra ose paga normale. Në kuadër të dialogut punëdhënës- punëmarrës kryen bisedime dhe konsulta paraprake për politikat e përgjithshme dhe masat e posaçme që prekin sektorin e shëndetësisë dhe stomatologjisë.