Gjykata e Apelit: Garda nuk është grup kriminal. Prendi: Zbatova detyrën, nuk ishte vrasje me dashje
Tanimë duket se asnjëra palë nuk ka dyshime se Prendi ka vrarë, por gjykata po mbron mendimin se ka vrarë në zbatim të detyrës
Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Apelit për të rrëzuar pretendimin e prokurorisë për të lënë në burg ish- Komandantin e Gardës. Sipas GSH, e cila e ka botuar të plotë vendimin, Apeli dhe vetë mbrojtja e Prendit kanë pranuar se ata kanë qëlluar me pistoletën që ka vrarë Faik Myrtajn. Por mbrojtja e Prendit thotë se ai nuk ka bërë vrasje me dashje, por ka zbatuar detyrën. Ndërkohë Gjykata e Apelit po ashtu mendon se Garda nuk është një grup kriminal. Apeli thotë se vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë të plotë pasi është bazuar vetëm tek pasoja. Më poshtë pjesë nga vendimi:
Mbrojtja e personit nën hetim, Ndrea Prendi, pohon përpara gjykatës se ne nuk e kemi mohuar faktin që Komandanti i Gardës ka si pajim personal luftarak armën e brezit tashmë të identifikuar dhe që e ka pasur bazuar në ligjin Për Gardën e Republikës dhe që është pikërisht arma për të cilën prokuroria ka paraqitur fletëdaljen, por kundërshtojmë se nuk kemi kryer vrasje me dashje, por kemi zbatuar detyrën siç e kërkon ligji.
Ashtu siç ka arsyetuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë duke shtuar edhe nga ana e këtij kolegji, duhet theksuar se punonjësit e Gardës nuk janë as organizata kriminale dhe as grup i strukturuar kriminal, por institucion i organizuar në bazë të ligjit të saj oranik. Në bazë të këtyre detyrimeve ligjor ka qenë në ditën e ngjarjes edhe personi nën hetim, i cili ishte edhe Komandanti i Gardës. Vërtet ditën e ngjarjes kanë mbetur të vrarë tre persona dhe një i plagosur rëndë që ka vdekur më pas, por organit të prokurorisë i bie barra ligjore që me të gjitha mundësitë dhe mjetet që ka, të provojë se kush janë autorët e këtyre pasojave si dhe vetë këto pasoja çfarë figure të krimeve të parashikuara në jurisprudencën penale konfigurojnë për subjektet e dyshuara.