E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Fierit: Këshilli Bashkiak me shumicë të majtë

22/11/2011  Hedh poshtë një mbledhje të bërë më pas duke rizgjedhur si kryetar përfaqësues nga e djathta

FIER- Gjykata e Shkallës së Parë, Fier ka rrëzuar dje mbledhjen e zhvilluar më 19 shtator, të Këshillit Bashkiak të Fierit. Ky vendim i djeshëm konsiston në vendimet e marra në këtë mbledhje, e cila një muaj pasi ishte bërë konstituimi i Këshillit të Bashkisë me shumicë të majtë, prodhoi një tjetër konfigurim duke sjell kësisoj edhe një kryetar të ri për Këshillin e Bashkisë dhe pikërisht përfaqësuesin e “Aleancës për të ardhmen”, Vasil Ndreko. Sipas organit të drejtësisë në Fier, çdo vendim i marrë më datë 19 shtator shkon në kundërshtim me ligjin për funksionimin e këshillave bashkiak. Togat e zeza dhanë dje verdiktin e tyre në lidhje me shfuqizimin e kësaj mbledhjeje, si dhe i dhanë dritën jeshile në këtë mënyrë, të vazhdojë punën Këshilli i Bashkisë me shumicë të majtë, këshill ky që drejtohej nga Donika Jorgaqi.

Tashëm pas vendimit të djeshëm Këshilli i Bashkisë me 35 këshilltarët e tij mund të mblidhet në çdo kohë, por jo nën drejtimin e kryetares së këshillit, Donika Jorgaqit, pasi çështja e kësaj të fundit është ende në gjykatë. Mbledhjen e radhës që ligjërisht ka gjasa të zhvillohet pesë ditë pas njoftimit të këshilltarëve, do ta drejtojë nënkryetari i këshillit i pakontestuar nga të dyja krahët politik, Sokrat Ikonomi.

Në pritje të seancës tjetër...

Ndërkohë një tjetër seancë, e cila do të mbyllte ciklin mbi Këshillin Bashkiak të Fierit, është ajo e caktuar më datën 24 nëntor. Në këtë seancë do të flitet për tre hallka kryesore, të cilat u bën një mollë sherri e këshilltarëve. Janë pikërisht: shqyrtimi i emrave për kryetarin e këshillit bashkiak, ku do të diskutohet mes të dyve, Donika Jorgaqit dhe Vasil Ndrekos, pika tjetër që pritet të marrë një zgjidhje në datën 24 është ajo e tre këshilltarëve të qarkut, që u rrëzuan në mbledhjen e datës 19 shtator, pasi edhe këta e kanë çuar çështjen në gjykatë, por një ngërç tjetër që do të marrë një rrugë është edhe ai për bordin e ujësjellësit, probleme këto të lindura po në mbledhjen e datës 19. Kjo mbledhje i rrëzoi të gjitha vendimet e marrë më datë 21 korrik kur u bë edhe konstituimi i Këshillit të Bashkisë për herë të parë.

Kryebashkiaku

Edhe kryetari i Bashkisë Fier ka deklaruar se dje gjykata zhbllokoi një ngërç të madh që ka pushtuar Fierin prej disa kohësh. “Më vjen mirë që gjykata dha këtë vendim. Kjo tregon që tashmë këshilltarët kanë mundësinë t’u tregojnë qytetarëve se vota e tyre do të përkthehet në shërbime për qytetin. Me këtë vendim këshilli ka të drejtë të mblidhet për të shqyrtuar dhe miratuar buxhetin, dhanë ndihmën ekonomike apo edhe ndarjen e banesave sociale, duke mos i prekur tre pikat që kanë në proces gjyqësor, siç janë kreu i këshillit, bordi i ujësjellësit dhe këshilltarët e zgjedhur për në qark”, ka vijuar

Dy kryetarët përplasen me njëri-tjetrin

Situatë e tensionuar në

Këshillin e Qarkut Fier

FIER- Edhe dje situata për qarkun Fier ka qenë disa e amullt për sa kohë të dyja palët po vazhdojnë të pretendojnë kreun e qarkut. Dje rreth orës 7.50 në ambientet e qarkut është paraqitur Vangjel Ndreko. Ky i fundit ka vazhduar punën normalisht, ndërsa është shprehur i indinjuar që prefekti nuk po i lë mundësinë të ushtrojë detyrën duke ndërhyrë, sipas tij me mekanizma të ndryshëm. Ndërkohë po dje dhe pretendenti tjetër, Artur Shehu ka nisur një kërkesë urgjente në institucionin e prefekturës. Në këtë kërkesë Shehu kërkon nga prefekti që të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit. “Ju kërkoj, që me të drejtën që u jep ligji si prefekt i qarkut Fier, të ndërhyni në rrugë ligjore për të liruar ambientet, të cilat i ka uzurpuar qytetari Vangjel Ndreko”, shkruhet në kërkesën e dërguar dje tek prefekti. Ndërkohë vetë prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasaj, ka deklaruar se është i detyruar t’i referohet ligjit për pushtetin vendor.

“Në ligjin mbi funksionimin e pushtetit vendor thuhet qartë se të paktën 50 ditë nga shpallja zyrtare e rezultatit të zgjedhjeve qarku duhet të jetë konstatuar dhe po në këtë ligj jepen të gjitha procedurat ligjore që duhen ndjekur në mënyrë permanente. Ndërkohë dje në ambientet e jashtëm të qarkut ka pasur të pranishëm forca të shumta policie, si dhe shumë anëtarë dhe simpatizantë të PS-së. A. D

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›